Tullat e zakonshme mund të shndërrohen në mobilie shumë interesante

Me pak kreativitet, tullat mund të përdoren për tavolina, stola dhe elemente të tjera që i japin interierit pamje origjinale dhe industriale
Frymëzimi vjen nga një koncept dizajni që e kthen teksturën e papërpunuar të tullës në bazë për tavolina, stola dhe ulëse. Pikërisht kjo ide frymëzoi edhe një përdorues të Instagramit që të krijonte versionin e vet të një tavoline të vogël.
Dizajni i interierit nuk duhet të mbështetet gjithmonë në materiale të shtrenjta dhe mobilie të sofistikuara. Shpesh, ajo që duket e thjeshtë, e papërpunuar dhe industriale mund të bëhet pika më interesante e hapësirës, nëse përdoret me zgjuarsi.
Tulla nuk është më vetëm material ndërtimi
Një shembull interesant është koleksioni BR, e cila riinterpreton tullat e ricikluara dhe i shndërron në mobilie me karakter industrial.
Në këtë koncept, tullat lidhen me metal të shkrirë në vend të llaçit tradicional. Metali kalon ndërmjet tyre dhe, pasi ngurtësohet, krijon jo vetëm lidhjen strukturore, por edhe një detaj të dukshëm estetik.
Nga kjo teknikë mund të krijohen karrige, stola, baza dhe tavolina. Tekstura dhe pesha e tullës mbeten të dukshme, ndërsa vetë materiali merr një funksion krejt të ri.
Përfundimi mund të variojë nga një pamje krejtësisht e papërpunuar deri te sipërfaqe më të përpunuara me llak ose metal, duke krijuar kontrast mes fortësisë industriale dhe detajeve të kuruara, transmeton Telegrafi.
Nga frymëzimi te projekti në shtëpi
Kjo qasje frymëzoi edhe përdoruesin e Instagramit @zakoo_col, i cili realizoi një tavolinë të vogël duke përdorur tulla të zakonshme.
Në vend të materialeve të kushtueshme, ai u mbështet te vetë thelbi i idesë: përdorimi kreativ i një elementi ndërtimor të thjeshtë.
Rezultati është një mobilie me pamje të fortë industriale, që tregon se tullat nuk duhet të mbeten domosdoshmërisht pjesë e mureve. Me një kombinim të menduar mirë, ato mund të bëhen bazë për një tavolinë, stol ose element tjetër funksional.
Një ide e thjeshtë që ndryshon hapësirën
Ky projekt tregon se për një mobilie interesante nuk nevojiten gjithmonë shumë para, vegla të ndërlikuara apo materiale të shtrenjta.
Mjafton një ide e mirë dhe një këndvështrim tjetër ndaj materialeve që kemi përreth.
Tulla, e cila në pamje të parë duket shumë e ashpër për interierin, mund të bëhet një element me karakter dhe ndikim të fortë vizual, pikërisht sepse nuk e fsheh natyrën e saj industriale. /Telegrafi/


































