LAJMI I FUNDIT:

Trusti në janar kthimi nga investimet 55 milionë euro

Trusti në janar kthimi nga investimet 55 milionë euro

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se kthimi bruto nga investimet vetëm për muajin janar 2019 ka shkuar në 55 milionë euro, ose një rritje e çmimit të aksionit prej 3.2%. Por pavarësisht ky kthim pozitiv nuk mund t’i mbulojë humbjet gjatë vitit 2018.

Përcaktues në performancën pozitive ishin investimet e FKPK-së në tregjet financiare jashtë Kosovës, ku indekset kryesore patën rritje të vrullshme, meqë tensionet tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës janë ulur, ndërsa treguesit makroekonomikë dhe të ardhurat e korporatave u deklaruan kryesisht pozitive.


Nga humbjet e Trustit janë prekur të gjitha llogaritë e kursimeve pensionale (Video)
Lexo po ashtu Nga humbjet e Trustit janë prekur të gjitha llogaritë e kursimeve pensionale (Video)

“Kjo lëvizje tejet pozitive e janarit 2019, që vije pas rënies së fortë të dhjetorit 2018, ilustron më së miri faktin, që në vazhdimësi e kemi deklaruar, se lëvizjet afatshkurtra (ngritjet e rëniet) në tregjet financiare janë të zakonshme, andaj duhen vlerësuar dhe raportuar si të tilla, pra si një proces ciklik”, njofton Trusti.

FKPK e bën këtë raportim jo të zakonshëm mujor, për të treguar se nuk ka vend për krijimin të pasigurisë tek kontribuuesit.
“Po ashtu FKPK-ja vazhdon t’i qëndrojë strategjisë investuese që synon kthimin pozitiv afatgjatë – që u ilustrua edhe më 2018 kur llogaritë e pensionuara mesatarisht korrën 26% kthim nga investimet -, por duke u angazhuar gjithnjë në kërkim të alternativave për mbrojtje edhe nga lëvizjet afatshkurtra”.

Ndryshe, Trusti gjatë vitit 2018 ka pasur rënie prej 5.2 për qind, ku kthimi negativ ka qenë në vlerë prej 84.7 milionë euro. /Telegrafi/