Presidenti amerikan, Donald Trump tha më herët këtë mëngjes për Fox News se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime “shumë të mira”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se SHBA-ja do të shkatërronte ura dhe centrale elektrike në Iran, nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje me Uashingtonin.


“Nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë unë do të kthehem dhe do ta përfundoj punën”, tha Trump për Fox.

“Por atyre do t’u duhet një kohë shumë e gjatë për t’i rindërtuar. Tashmë do t’u duhen shumë vite për ta rikthyer gjithçka”, shtoi 80-vjeçari.

Trump gjithashtu këmbënguli se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, e cila është bllokuar kryesisht nga Irani që nga fillimi i luftës.

“Vetëm anijet që ne duam të kalojnë, kalojnë”, tha ai.

Përplasja mes SHBA-së dhe Iranit pritet të jetë një nga temat kryesore gjatë takimit që Trump po zhvillon aktualisht në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. /Telegrafi/