Të dërguarit e presidentit amerikan, Donald Trump do të takohen me ndërmjetësuesit egjiptianë, katarianë dhe turq në Kajro, në një përpjekje për të çuar përpara planin e paqes të presidentit amerikan në Gaza, edhe pse Izraeli vazhdon me sulme ajrore në enklavë.

Plani i paqes i Trump kërkon ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake në Gaza.


Ai parashikon çarmatosjen e Hamasit ndërsa trupat izraelite tërhiqen nga enklava dhe Gaza rindërtohet nën një administratë të re civile palestineze.

Pasi zvogëloi sulmet në enklavë në fillim të këtij muaji, sulmet ajrore të Izraelit kanë rinisur në ditët e fundit.

Ushtria izraelite tha të dielën se avionët e saj shënjestruan një militant në Khan Younis, në jug të Gazës. Të paktën pesë palestinezë u plagosën në sulmin që kishte goditur një kamp me tenda.

Një sulm i veçantë ajror, për të cilin ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër një tjetër militant, goditi një apartament në kampin Nuseirat në Gazën qendrore, duke plagosur disa persona.