Donald Trump ka emëruar Richard Grenellin, si drejtor ekzekutiv të përkohshëm të Qendrës John F Kennedy për Artet Performuese në Uashington.

Bëhet fjalë për 58-vjeçarin i cili kohëve të fundit ka shërbyer si i dërguar i presidentit për misionet speciale dhe ishte i përfshirë në sigurimin e lirimit të amerikanëve të ndaluar në Venezuelë, përcjell Telegrafi.


Trump kishte njoftuar të premten se po pushonte disa individë nga bordi i besuar i kompleksit kulturor kombëtar, përfshirë kryetarin David Rubenstein, një filantrop miliarder.

Trump e quajti veten kryetar dhe tha se së shpejti do të shpallte një bord të ri për Qendrën Kennedy.

Në një postim në mediat sociale të hënën, presidenti shkroi: “Ric ndan Vizionin tim për një Epokë të Artë të Arteve dhe Kulturës Amerikane dhe do të mbikëqyrë funksionimin e përditshëm të Qendrës...”.

Qendra Kennedy, e cila merr fonde federale, është një nga vendet kryesore të artit në vend dhe ka gëzuar prej kohësh mbështetjen dypartiake.

Ajo konsiderohet një “memorial” për ish-presidentin John F Kennedy dhe muri i saj i jashtëm është i gdhendur me citime nga presidenti i 35-të.

Njëri thotë: “Unë pres me padurim një Amerikë që do të shpërblejë arritjet në art, ashtu siç ne shpërblejmë arritjet në biznes apo shtet”. /Telegrafi/