Tronditëse: E shpallën të vdekur, por futbollisti “u kthye në jetë” në morg

Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse ka ndodhur në futbollin nigerian, pasi mbrojtësi Chinedu Ozor u shpall i vdekur pas një kolapsi gjatë një ndeshjeje miqësore, por disa orë më vonë u gjet duke shfaqur shenja jete në morg.
Ozor, i cili së fundmi ishte transferuar te Katsina United, u rrëzua në minutat e para të ndeshjes përgatitore ndaj Niger Tornadoes. Futbollisti mori ndihmën e parë nga personeli mjekësor dhe më pas u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë.
Pas ekzaminimit, mjekët e shpallën të vdekur dhe trupi i tij u dërgua në morg. Por disa orë më vonë ndodhi e papritura. Sipas raportimeve të publikuara të mërkurën, më 12 gusht, Ozor lëvizi dorën ndërsa ndodhej në morg. Personat e pranishëm kuptuan se ai mund të kishte ende shenja jete dhe reaguan menjëherë.
Mbrojtësi u dërgua me urgjencë në Katsina General Hospital, ku aktualisht ndodhet në repartin e terapisë intensive. Ai po merr oksigjen, ndërsa mjekët po përpiqen ta stabilizojnë gjendjen e tij.

Ish-klubi i tij, Heartland, konfirmoi zhvillimin e jashtëzakonshëm përmes një deklarate.
“Burime të besueshme bëjnë të ditur se Chinedu Ozor është transferuar nga morgu në spital pasi ka shfaqur shenja lëvizjeje”, thuhej në njoftim.
Vetëm disa orë më herët, Katsina United kishte njoftuar publikisht se Ozor kishte ndërruar jetë.
“Ne vajtojmë humbjen tragjike të lojtarit tonë të ri, Chinedu Ozor, pas një emergjence mjekësore gjatë ndeshjes së sotme miqësore ndaj Niger Tornadoes.
Mendimet, lutjet dhe mbështetja jonë janë me familjen dhe të dashurit e tij. Pusho në paqe, luftëtar”, kishte njoftuar klubi.
Drejtori i komunikimit i Katsina United, Nasir Gide, më pas shpjegoi se si ishte marrë vendimi për ta shpallur të vdekur futbollistin.
“Kur e dërguam me urgjencë në një spital aty pranë, ai u shpall i vdekur nga një mjek”, deklaroi Gide.
“Ne morëm një raport nga policia dhe e dërguam në Katsina General Hospital, ku gjithashtu u shpall i vdekur”, shtoi ai.
Lajmi fillestar për vdekjen e Ozor kishte shkaktuar reagime të shumta në futbollin nigerian.
Chinedu Ozor vazhdon të jetë i shtruar në spital dhe nën kujdesin e mjekëve, ndërsa vëmendja tashmë është e përqendruar te gjendja e tij shëndetësore dhe përpjekjet për ta stabilizuar./Telegrafi/















































