Tri klube të Ligës Premier të interesuara për yllin e Real Madridit

I zhytur në fazën përfundimtare të kontratës me Real Madridin, Antonio Rudiger, është shndërruar në një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve.
Interesi për shërbimet e tij është i lartë, me disa klube elitare që po monitorojnë nga afër situatën e tij.
32-vjeçari ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi skuadrën ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
Prioriteti i tij mbetet rinovimi me “Los Blancos”, por deri më tani drejtuesit madrilenë nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për zgjatjen e marrëveshjes.

Gjithçka pritet të varet nga paraqitjet e tij në muajt e mbetur të sezonit.
Nëse Rudiger arrin të lërë pas problemet fizike dhe rikthehet në formën e tij më të mirë, klubi madrilen mund t’i ofrojë një zgjatje njëvjeçare.
Në të kundërt, largimi i tij në fund të sezonit mbetet një skenar i mundshëm.
Sipas raportimeve të Caught Offside, të paktën tre klube të Ligës Premier janë të gatshme të përfitojnë nga situata për ta transferuar me parametra zero.
Bëhet fjalë për Tottenham Hotspur, Crystal Palace dhe West Ham United.

Ndërkohë, ndonëse më herët ishte përfolur edhe rikthimi i mundshëm te Chelsea, burimet pranë klubit londinez bëjnë me dije se “Blutë” nuk kanë interes për ta rikthyer mbrojtësin gjerman.
Përveç ofertave të vazhdueshme nga Arabia Saudite, në skenë ka hyrë edhe Paris Saint-Germain.
Kampionët francezë e shohin Rudiger si një përforcim me eksperiencë të lartë ndërkombëtare, që mund të afrohet pa kosto transferimi.
Me afatin kalimtar që po afrohet dhe situatën ende të hapur, e ardhmja e Antonio Rudiger premton të jetë një nga transferimet më interesante të verës. /Telegrafi/





















































