Toyota po përgatit një model krejtësisht të ri supersportiv GR GT, por deri te ai nuk do të jetë e lehtë të arrihet, madje as për ata me buxhet të madh.

Sipas informacioneve nga divizioni Gazoo Racing, pronarët e ardhshëm do të duhet të kalojnë një proces të detajuar verifikimi para se të kenë mundësinë ta blejnë veturën.


Toyota planifikon ta prezantojë GR GT gjatë vitit 2027, ndërsa bëhet fjalë për një superveturë hibride, çmimi i së cilës mund të kalojë 200 mijë euro. Edhe pse ky çmim duket i pazakontë për Toyotën, tregu i superveturave në vitet e fundit ka ndryshuar ndjeshëm.

Toyota dëshiron të zgjedhë me kujdes pronarët, pasi është e vetëdijshme se GR GT hyn në një segment krejt të ri për markën. Drejtori i programit të auotmobilave sportive Gazoo Racing, Jeff Bal, tha se kompania ka analizuar me kujdes se kujt dëshiron t’ia shesë këtë model.

“Duhej të bënim shumë përgatitje sepse bëhet fjalë për klientë që nuk i kemi parë më parë as në sallonet e Toyotës apo Lexusit”, tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Në SHBA, GR GT nuk do të shitet në sallonet klasike të Toyotës, por përmes qendrave të Lexusit. Blerësit do të ndiqen nga specialistë të trajnuar posaçërisht të quajtur “GR Meister”.

Roli i tyre nuk do të jetë vetëm dorëzimi i veturës, por edhe shoqërimi i klientit gjatë gjithë periudhës së pronësisë, duke krijuar një përvojë krejt ndryshe.

Toyota dëshiron gjithashtu të shmangë rishitjen e menjëhershme të automjetit për fitim, ndaj procesi i blerjes do të përfshijë kontrolle të shumta dhe do të ngjajë me një “intervistë”.

Sipas informacionit të deritanishëm, përparësi mund të kenë blerësit që i përdorin realisht veturat, jo koleksionistët apo influencuesit që i blejnë për qëllime marketingu.

Nën karrocerinë e GR GT pritet të gjendet një motor 4.0-litër V8 biturbo i kombinuar me sistem hibrid, me mbi 650 kuaj/fuqi dhe 850 Nm çift rrotullues, duke e bërë një nga modelet më të fuqishme të Toyotës deri më tani. /Telegrafi/