Thirrjet “Vjosa, Vjosa” përcjellin tubimin hapës të LDK-së në kryeqytet

Në zemër të kryeqytetit, Lidhja Demokratike e Kosovës hapi zyrtarisht fushatën elektorale.
Brohorima të mëdha u dëgjuan nga qytetarët ‘’Vjosa, Vjosa’’ në tubimin hapës të LDK-së, sapo kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani doli në skenë për të marrë fjalën.
Në fjalimin e saj para mbështetësve, Osmani bëri thirrje për bashkim, zhvillim dhe forcim të shtetit të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk duhet të lejojë përçarje politike që e dëmtojnë rrugën e tij të konsolidimit shtetëror.
“Nuk do ta lëmë që të shkatërrohet nga përçarjet, por do ta ndërtojmë edhe më shumë, do ta zhvillojmë edhe më shumë, do ta integrojmë edhe më shumë, e do ta mbrojmë edhe më shumë. Po e rinisim këtë rrugë. Po e rinisim këtë rrugë. Po e rinisim këtë rrugë të gjithë së bashku në këtë shtëpi të madhe. Nga shtëpia jonë e përbashkët ku rëndon mbi supe trashëgimia më e çmuar politike, e cila ka trasuar rrugën e mbijetesës sonë kombëtare dhe të krijimit të shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës. Po e vazhdojmë këtë rrugë pikërisht aty ku kishte nisur me tri postulatet e shenjta: liri, pavarësi, demokraci! Dua që në fillim t’ju them faleminderit. Faleminderit të gjithëve për përzemërsinë, për gjithë mbështetjen dhe dashurinë që na dhatë në këtë rrugëtim të bashkimit tonë”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, LDK prezantoi edhe kandidatët për deputetë nga radhët e saj, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një ekip të përkushtuar, i cili do të angazhohet për përfaqësimin e drejtë të qytetarëve dhe adresimin e kërkesave të tyre në mënyrë efektive.








































