LAJMI I FUNDIT:

Thëniet e Faik Konicës, aktuale edhe sot

Thëniet e Faik Konicës, aktuale edhe sot

Nga: Frank Shkreli

Klasës politike aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo, Faik Konica u thotë:

“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri”.

“Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.”

Gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim, Faik Konica do i këshillonte:

“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (‘Albania’ 16, 15-30 korrik 1898).

Për ata që thonë se 30-vjet post-komunizëm nuk mjaftojnë për të vendosur një demokraci të vërtetë perëndimore, Faik Konica u thotë:

“Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat.”

“Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”. (‘Albania’ 11, 1898).

Për ata që rininë e quajnë “huliganë”, Faik Konica u thotë:

“Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (‘Albania’ 5, 1905).

“Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara”.

Për ata që nuk kuptojnë ose nuk duan të pranojnë zemërimin e njerëzve, në kohë të vështira, Faik Konica u thotë:

“Si mos të dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk punojnë”?

Për opinionistët dhe analistët e TV-studiove të sotme shqiptare, Konica do të thoshte:

“Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest ‘të ndriçojnë opinionin publik’ as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle” (‘Albania’ 6, 1905).

 “Frikacaku i ka tërë karakteristikat, dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit nëpërmjet sharjes.  I pafuqishëm, veç flet keq e shan poshtërsisht të tjerët”. (‘Albania’ 5, 1905).

“Ka njerëz që shitën nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë”. (‘Albania’ 2, 1899).

“Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull, nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh të qarta e objektive” (‘Albania’ 6, 1905).

Akademikëve dhe studiuesve, Faik Konica u thotë:

“E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike”. (‘Albania’ 2, 1897).

Atyre që bëjnë sehir ndaj të këqiave të shoqërisë, urrejtjeve dhe armiqësive, Faik Konica u thotë:

 “Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë” (‘Albania’ 12, 1909).

“Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme”, (‘Albania’ 9, 1898).

Apologjetëve të komunizmit të Enver Hoxhës, 30-vjet post-komunizëm, Faik Konica u thotë:

“Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime” – “Nuk mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë.  Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet mendimeve”. (‘Albania’ 5, 1907).

“Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë”. (Albania 1, 1897).

Përfaqësuesve të partive politike shqiptare, Faik Konica do u thoshte të mënjanojnë urrejtjet:

“Urrejtja partiake shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar”. (‘Albania’ 2, 1904).

Atyre që po shkatërrojnë bukuritë e natyrës së Shqipërisë (Valbona, Vjosa) për përfitime ekonomike, Faik Konica u thotë mos urreni bukuritë që Perëndia u ka falur shqiptarëve:

“Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë”.