Thaçi s’do të ulet në karrigen e Jahjagës

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, që me marrëveshjen politike të koalicionit me LDK-në pritet të bëhet president i vendit, nuk do të ulet në zyrën e tashme të presidentes Atifete Jahjaga në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, por në ndërtesën e ish-Komitetit në sheshin “Nëna Terezë”, në të cilën tash ndodhet Ministria e Kulturës, bashkë me atë të Bujqësisë.
Nga burime brenda Ministrisë së Administratës Publike, lajmi.net mëson se në kuadër të risistemimit të institucioneve të drejtësisë në objektet e reja (gjykatat, prokuroritë dhe institucionet e tjera të drejtësisë) dhe lëvizjes së re që pritet t’i kenë dikasteret qeveritare, në ish-objektin e Komitetit, ku tash është e vendosur Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë, do të vendoset Presidenca e Kosovës.
Që nga krijimi i saj, Presidenca e Republikës së Kosovës nuk ka pasur asnjëherë objekt të vetin dhe si duket edhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, për të kursyer buxhetin nuk ka preferuar të ndërtohet objekt i ri për Presidencën, por ka vendosur të rinovojë objektin e vjetër të ish-Komitetit. /lajmi.net/








































