LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Po i themi lamtumirë njeriut më emblematik që nga periudha e Skënderbeut

Thaçi: Po i themi lamtumirë njeriut më emblematik që nga periudha e Skënderbeut

Në ceremoninë komemorative që po mbahet për Adem Demaçin, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kombi sot po ndahet fizikisht nga një kolos e bota nga Mendela i Evropës.

“Sot më 28 korrik populli shqiptar po ndahet fizikisht nga një kolos që u vetmohua gjithë jetën për komb. Bota po ndahet nga Mendela i Evropës”, tha Thaçi.


“Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK-së, pasi me qëndresën e tij u bë simbol i lirisë kombëtare. Shpirti i tij ishte më i fuqishëm se burgu jugosllavë dhe rrezatoi humanizëm”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se veprimtari Adem Demaçi me tërë qenien e tij jetoj për një qëllim, për çlirimin e Kosovës dhe botës shqiptare.

Pas intonimit të himint të Kosovës dhe himnit të Shqipërisë, u mbajt një minutë heshtje për jetën dhe veprën e Adem Demacit.

Prezent në mbledhjen komemorative janë krerë të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradianaj, Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe Ali Ahmeti nga Maqedonia, si dhe përfaqësues politik nga Lugina e Preshevës.

Fjala e plotë e Presidentit Thaçi në ceremoninë komemorative për veprimtarin e shquar, Adem Demaçi:

Kosova që dy ditë është në zi.

Bota shqiptare në pikëllim.

Sot, më 28 korrik, kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kosova dhe mbarë bota shqiptare po ndahet nga Adem Demaçi, një personalitet historik i jashtëzakonshëm  me integritet të lartë intelektual, letrar, politik dhe kombëtar.

Bota po ndahet nga Mandela i Evropës.

Adem Demaçi me tërë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale e morale jetoi për një qëllim:

Çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia.

Rininë,  shpirtin e talentuar e plot dhunti dhe moshën e burrërisë, Adem Demaçi i flijoi 28 vjet në burgje jugosllave, pa u thyer dhe pa u mposhtur asnjëherë.

Për ironi të fatit dhe magjinë e numrave, Adem Demaçi vdiq pardje më 26 korrik, duke lënë një zbrazëtirë të madhe në historinë e Kosovës.

Në shekullin e jetës së tij 82 vjeçare para çlirimit të Kosovës, Adem Demaçi 26 vjet i përjetoi prangat e robërisë së atdheut.

28 vjet qëndroi i pamposhtur në pranga.

28 vjet jetoi pas daljes së fundit nga burgu.

Sot, me 28 korrik, po varroset me nderimet më të larta shtetërore dhe kombëtare.

Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare.

Simbol i qëndresës.

I burgosuri shqiptar numër Një i ndërgjegjes në ish-Jugosllavi.

I burgosuri numër Një i ndërgjegjes në Evropë.

Nga i munguar 28 vjet, ai u shndërrua në frymëzues të gjithë pranishëm për brezat e ardhshëm që ndoqën dhe përqafuan idealin e lirisë dhe rrugën e çlirimit. 

Adem Demaçi ideal jetësor e kishte bashkimin e shqiptarëve.

Parimi themelor i filozofisë së tij politike mbështetej tek ideja që hapi i parë i lirisë dhe çlirimit duhet të merret nga vetvetja.

Prandaj, Adem Demaçi, ishin ngjarjet dhe kthesat politike të Kosovës më 1968, 1981, 1989.

Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarë të nderuar,

Me qëndresën e tij Adem Demaçi u bë simbol i lirisë filozofike, kombëtare dhe universale.

Për realizimin e lirisë ai u përkushtua në të gjitha fazat e jetës.

Shpirti dhe ideali tij ishte më i fuqishëm se burgu, policia dhe ushtria serbe dhe jugosllave.

Përkundër burgosjes së gjatë ai mbeti njeri i madh me shpirt fisnik.

Duke qenë njeriu që u flijua për lirinë e popullit të tij, Adem Demaçi gjithmonë rrezatoi humanizëm për qenien njerëzore.

Dashuri ndaj popujve tjerë.

Mirëkuptim dhe solidaritet për të rrezikuarit.

Falje dhe pajtim në vend të hakmarrjes.

Paqe dhe harmoni midis gjinisë njerëzore.

Për guximin dhe angazhimin e tij për lirinë e mendimit, ai mori çmimin e Parlamentit Evropian “Saharov” më 1991.

Ai nderoi kombin tonë.

Ne jemi të lumtur dhe krenarë që jetuam në epokën e Adem Demaçit.

Ne jemi krenarë që populli ynë i dha njerëzimit profile humaniste të nivelit të lartë si Adem Demaçi – njeriun që tërë jetën ia kushtoi lirisë.

Adem Demaçi ishte njeriu më antikonformist që ka prodhuar ndonjëherë mendësia,  kultura dhe historia jonë politike.

Ai ishte i madh edhe kur fliste.

Ai ishte i madh edhe kur qortonte.

Në momentet më të rënda historike ishte mbështetës, zëdhënës dhe përfaqësues i lartë politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Adem Demaçi kishte fituar imunitetin e pavdekësisë, andaj nuk u largua nga Prishtina as në ditët kur krimet dhe gjenocidi i forcave policore e ushtarake serbe ishte në kulm.

Adem Demaçi edhe pas çlirimit të Kosovës ishte zë autonom.

Kolos i mendimit të lirë.

Kritik i papërmirësueshëm.

Adem Demaçi ishte sa elitar aq edhe modest.

Një atdhetar i kulluar me pushtet të pafund moral.

Emri, jeta dhe vepra e Adem Demaçit është shndërruar në simbol me vlera universale:

I burgosur fizikisht – shpirtërisht i lirë.

Dialektikan në mendje – në karakter i pathyer.

Kundërshtar i tiranisë – zë i të dobëtëve.

Adem Demaçi me sakrificën dhe përkushtimin e tij e ridefinoi dashurinë për atdheun dhe lirinë e tij.

Me disidencën dhe kokëfortësinë e tij i shtyri kufijtë që kishin vendosur disidentët botërorë.

Adem Demaçi e lartësoi idealin e lirisë në pikën e paarritshme nga kushdo që vjen pas tij.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Lavdi!

 

Në trend Lajme

Më shumë
Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Plagosja e katër personave, deklaratat e Policisë e Prokurorisë – gjithçka nga rasti në Lupç të Podujevës

Kronika e Zezë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori