Juristi Emrush Thaçi ka vlerësuar se sistemi me lista të hapura në zgjedhjet në Kosovë është pozitiv për demokracinë, pasi u jep qytetarëve mundësinë të zgjedhin kandidatët që preferojnë, pavarësisht renditjes së tyre në listat zgjedhore.

I ftuar në emisionin “FIVE” në Dukagjini, Thaçi ka ngritur shqetësimin për praninë e kandidatëve me aktakuza dhe nën hetime në listat e partive parlamentare, duke e cilësuar këtë si problematike për standardin e përfaqësimit politik.


Sipas tij, megjithëse legjislacioni në Kosovë ua mundëson kandidimin personave në këto rrethana, integriteti i kandidatëve duhet të mbështetet mbi pastërtinë personale dhe politike.

“Në Kosovë listat e hapura lënë për të kuptuar që në rrethana politike të shëndosha janë shumë të mira, për arsye se qytetarët, pavarësisht numrit, kanë kë të zgjedhin. Ne tash e dy vite në Kosovë pothuajse çdo gjashtë muaj kemi zgjedhje dhe normalisht kemi vërejtjet tona sa i përket listave. Brenda listave të katër partive parlamentare ka figura me aktakuza e nën hetime, edhe pse legjislacioni në Kosovë ua mundëson kandidimin”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka shtuar se në zgjedhjet e kaluara ka pasur kandidatë që kanë keqpërdorur votat gjatë procesit të rinumërimit, duke theksuar se partitë politike do të duhej të bënin pastrimin e listave zgjedhore.

“Sipas tij, integriteti personal i një kandidati duhet të ndërtohet mbi bazën e pastërtisë dhe partitë politike duhet të reflektojnë më shumë në përzgjedhjen e kandidatëve”, tha ai.