LAJMI I FUNDIT:

Thaçi në Hagë: Jam i pafajshëm, ndjej dhimbje për të gjitha viktimat

Thaçi në Hagë: Jam i pafajshëm, ndjej dhimbje për të gjitha viktimat

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar sërish i pafajshëm në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Teksa i ka mohuar pretendimet e Prokurorisë, Thaçi ka thënë se ndjen keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat.


Ai gjithashtu është shprehur se i vjen keq që për pafajësinë e tij nuk mund të dëshmojnë disa figura të larta si Ibrahim Rugova, Madeleine Albright, Fehmi Agani, Richard Hoolbroke, Adem Demaçi e të tjerë.

Përfundon dita e dytë e gjykimit – mbrojtja dhe të akuzuarit hedhin poshtë akuzat e prokurorisë
Lexo po ashtu Përfundon dita e dytë e gjykimit – mbrojtja dhe të akuzuarit hedhin poshtë akuzat e prokurorisë

“Sot po e nisim një rrugëtim së bashku drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat. Unë jam i pafajshëm, por i gatshëm të kem sukses në këtë rrugëtim. Isha student në Zvicër kur ndodhi masakra ndaj familjes Jashari. Unë, sikurse edhe shumë të tjerë, u kthyem nga atje në Kosovë”.

“Lufta na u imponua dhe ne e bëmë atë që do ta bënte çdo popull liridashës. Më vjen keq që këtu në këtë proces nuk mund të dëshmojnë Albright, Holdbrooke, Demelio, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi. Ata do të dëshmonin në emrin tim”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka përmendur raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, ku përmendej “trafikimi i organeve dhe shtëpia e verdhë”.

Ai ka thënë se ndërkombëtarët i kishin thënë se duhej themeluar gjykata në mënyrë që të largohet reja e zezë mbi Kosovën.

“Bota tani e di qe nuk kishte trafikim organesh dhe ‘shtëpi të verdhë’. Tani e dimë unë, dhe populli jemi shfajësuar nga kjo. Reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Sakrifica ia ka vlejtur. Pres te shfajësohem nga çdo akuzë në fund të këtij procesi” ka thënë Thaçi.

“Kam besim se ky proces do të jete i drejtë dhe transparent”, ka shtuar ai.

Me fjalimin e Thaçit ka përfunduar edhe paraqitja e deklaratës hyrëse nga ekipi i tij mbrojtës.

Në pjesën tjetër të seancës, për 45 minuta do të flasin nga ekipi mbrojtës i Kadri Veselit.

Ndërsa më vonë pritet që të flasë pa betim edhe ish-deputeti Rexhep Selimi. /Telegrafi/