Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë për marrëveshjen e arritur mes liderëve politikë të Kosovës për tejkalimin e ngërçit politik të zgjedhjes së presidentit.

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë thuhet t’i kenë përgëzuar Thaçin, Mustafën dhe Pacollin për marrëveshjen e përbashkët për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, për fillimin e reformës së zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit nga populli dhe reformën e thellë të Ligjit për zgjedhjet.


5t

“Kjo marrëveshje e arritur mes tri forcave politike kosovare krijon klimën e duhur politike për të vazhduar me thellimin e reformave të gjithëmbarshme në ekonomi, politikë dhe legjislacion, si dhe përshpejton përmbushjen e standardeve të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, u tha në takim.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith ka shprehur admirimin e tij për suksesin e plotë që do të prodhojë marrëveshja e arritur dhe ka shtuar se me këtë gjest të pjekur politik dhe qytetar, liderët kosovarë kanë dëshmuar se mbi interesat partiake dhe personale kanë interesat e zhvillimit dhe të integrimit të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin me ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë, në prani të përfaqësuesit special të BE-së, Pieter Feith dhe shefit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, ka thënë se marrëveshja e arritur mbrëmë mes forcave politike të Kosovës është marrëveshje për Kosovën e reformave, për Kosovën evropiane.

Thaçi ka falënderuar gjithë përfaqësuesit e shteteve të BE-së në Kosovë, si dhe ambasadorin amerikan Dell, për kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshjeje. /Telegrafi/