LAJMI I FUNDIT:

Termokos sqaron shpenzimet për vitin 2017

Termokos sqaron shpenzimet për vitin 2017

Termokos ka reaguar pas raportimit të Telegrafit se kjo ngrohtore ka paguar për avullin e shfrytëzuar nga KEK vetëm 1,028,925 euro derisa konsumatorëve u ka faturuar rreth 6 milionë euro.

Telegrafi askund nuk e ka cekur se këto janë fitime të Termokosit, apo janë të hyra pa shpenzime, vetëm se ka treguar se ky është faturim i konsumatorëve për ngrohje, duke pyetur zëdhënësen e Termokosit paraprakisht.


Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, ka reaguar ndaj teksti për të cilin është pyetur edhe ajo, Telegrafi ka raportuar vetëm shifra për të cilat ka treguar zëdhënësja rreth faturimit, ndërkaq rreth pagesës së avullit për KEK-un ka dokumente zyrtare.

Telegrafi nuk ka tërhequr paralelizma por vetëm ka raportuar shifra zyrtare për të cilat nuk ka mundur t’i demantojë as Termokosi e as zëdhënësja e saj Aferdita Uka.

Termokos u ka faturuar konsumatorëve për ngrohje rreth 6 milionë euro, KEK-ut i ka paguar 1 milion euro për avullin
Lexo po ashtu Termokos u ka faturuar konsumatorëve për ngrohje rreth 6 milionë euro, KEK-ut i ka paguar 1 milion euro për avullin

Telegrafi publikon reagimin e plotë të zëdhënëses së Termokosit edhe pse ky reagim nuk i konteston shifrat e publikura.

NP “Termokos” Sh.A, nëpërmes këtij reagimi publik demanton paralelizmat, që është tentuar të vihen nëpërmes artikullit “Termokos u ka faturuar konsumatorëve për ngrohje rreth 6 milion euro, KEK-ut i ka paguar 1 milion euro për avullin” të gazetarit Lulzim Ahmeti, të publikuar sot më 12.03.2018 në portalin “Telegrafi”.

Për hir të informimit të drejtë, sqarojmë se para së gjithash tentativa për të vënë paralelizma në mes faturimit dhe pagesave për avullin, që marrim nga KEK-u janë tendencioze, pasi që për të prezantuar një pasqyrë të saktë të kostos së prodhimit të energjisë termike, gazetari Ahmeti është dashur të kërkojë nga “Termokos” pasqyrën e plotë të shpenzimeve kryesore për prodhimin e energjisë ngrohëse. Tentativa për të krahasuar vetëm njërin nga segmentet e kostos së prodhimit dhe distribuimit të energjisë ngrohëse, duke e prezantuar para opinionit vetëm vlerën e avullit të KEK-ut në raport me faturimin për vitin 2017, është qëllimkeqe dhe me prapavijë. Një mënyrë e tillë raportimi ndikon drejtpërdrejt në dezinformimin e opinionit të gjerë, aq më tepër kur bëhet për interesa të caktuara individuale dhe grupore.

Në funksion të kultivimit të transparencës dhe llogaridhënies, NP “Termokos” në vazhdimësi ka bashkëpunuar ngushtë me mediat dhe ka qenë shumë transparent në publikimin e të dhënave të detajuara, kurdo që ato janë kërkuar. Në pasqyrën e shpenzimeve kryesore për prodhimin dhe distribuimin e ngrohjes për vitin 2017 nuk është vetëm pagesa për avullin, që marrim nga KEK-u, por edhe shumë shpenzime tjera. Totali i shpenzimeve për vitin 2017 arrin vlerën e 5,601,399.42 eurove, ku përfshihen shpenzimet direkte të prodhimit (energjia termike: 1,028,924.81 euro, shpenzimet e energjisë elektrike: 489,195.78 euro, shpenzimet e ujit: 121,105.25 euro, shpenzimet e kemikalieve 1,072.31 euro), shpenzimet e zhvlerësimit: 2,244,256.55 euro dhe shpenzimet operative: 1,716,844.72 euro.

Telegrafi ka pyetur zëdhënësen e Aferdita Uka

Pyetje nga Telegrafi

Përshëndetje,

Sa ka kërkesa Termokos për zgjerim të rrjetit të ngrohjes dhe a e ka zgjeruar këtë rrjet me fillimin e sezonës ngrohëse?

Cilat lagje do të jenë në planë për tu zgjeruar ngrohja?

Sa ka qenë faturimi i Termokosit ndaj konsumatorëve gjatë vitit 2017 për ngrohjen që kanë shpenzuar?

Sa janë çmimet ngrohëse për amvisëri sa për biznese për metër katrorë
Me respekt
Lulzimi

Përgjigjet e zëdhënës Uka për Telegrafin

I nderuar,

Bashkangjitur më poshtë i gjeni përgjigjjet në pyetjet tuaja.

– Si rezultat ngrohjes cilësore dhe të mjaftueshme që kemi ofruar për disa sezona me radhë, janë shtuar dukshëm kërkesat për kyçje në rrjetin e ngrohjes, jo vetëm në lagjet ku tanimë e kemi të shtrirë rrjetin e ngrohjes, por edhe nga lagjet tjera të kryeqytetit, në të cilat aktualisht nuk operojmë. Mirëpo, vlen të cekim se kërkesat janë shumë më të larta se mundësitë dhe kapacitetet aktuale për të mundësuar kyçjen e tyre në rrjetin e ngrohjes.

– Në saje të një donacioni nga Komisioni Evropian në vlerë të 8.3 milion eurove (si dhe 250 mijë eurove nga “Termokos” dhe 250 mijë të tjera nga Komuna e Prishtinës) për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, pasi që janë afër finalizimit procedurat për përzgjedhjen e operatorëve, që do të merren me ekzekutimin e punëve në teren, për pak muaj do të fillojnë punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes. Në kuadër të kësaj faze të projektit të kogjenerimit në rrjetin e ngrohjes do të kyçen disa objekte të vjetra banesore në qendër të qytetit, të cilat nuk kanë qenë të lidhura në rrjetin e ngrohjes, disa institucione siç është: Teatri Kombëtar, objekti i Ministrisë së Kulturës, disa objekte tjera të vjetra në lagjen “Ulpiana”, si dhe disa objekte banesore në lagjen “Kalabria” dhe në rrugën B.

– Faturimi për vitin 2017 ka qenë 5,937, 961.01

– Tarifat e ngrohjes të përcaktuara nga ZRRE-ja për subjektet banesore për një metër katror janë 0.78 euro + TVSH, ndërsa për subjektet afariste dhe institucionet janë 0.97 euro metri katror+ TVSH-ja. /Telegrafi/