LAJMI I FUNDIT:

Termokos u ka faturuar konsumatorëve për ngrohje rreth 6 milionë euro, KEK-ut i ka paguar 1 milion euro për avullin

Termokos u ka faturuar konsumatorëve për ngrohje rreth 6 milionë euro, KEK-ut i ka paguar 1 milion euro për avullin

Kalimi i ngrohjes me avull nga ngrohja me mazut nga Termokosi, ka rritur kualitetin e ngrohjes sipas zyrtarëve të kësaj kompanie. E rritja e cilësisë së ngrohjes ka rritur edhe pagesën dhe faturimin e ngrohjes të cilën e shfrytëzojnë konsumatorët.

Termokos u ka faturuar për ngrohje konsumatorëve rreth 6 milionë euro për vitin 2017, derisa për avullin që e ka shfrytëzuar nga Termocentrali “Kosova B” i KEK-ut, ka paguar shumë më pak.


Telegrafi ka arritur që të sigurojë dokument ku ka zbuluar se Termokosi i ka paguar KEK-ut për shfrytëzimin e avullit vetëm 1,028,925 euro.

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, ka thënë për Telegrafin se për ngrohjen që kanë ofruar për konsumatorët i kanë faturuar me rreth 6 milionë euro. “Faturimi për vitin 2017 ka qenë 5,937, 961.01 euro”, tha ajo.

Sipas Ukës, kërkesat e qytetarëve për ngrohej nga Termokosi janë më të mëdha sesa ka kapacitete për të mundësuar kyçjen në rrjetin e ngrohjes.

“Në saje të një donacioni nga Komisioni Evropian në vlerë të 8.3 milionë eurove (si dhe 250 mijë eurove nga “Termokos” dhe 250 mijë të tjera nga Komuna e Prishtinës) për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, pasi që janë afër finalizimit procedurat për përzgjedhjen e operatorëve, që do të merren me ekzekutimin e punëve në teren, për pak muaj do të fillojnë punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes. Në kuadër të kësaj faze të projektit të kogjenerimit në rrjetin e ngrohjes do të kyçen disa objekte të vjetra banesore në qendër të qytetit, të cilat nuk kanë qenë të lidhura në rrjetin e ngrohjes, disa institucione siç është: Teatri Kombëtar, objekti i Ministrisë së Kulturës, disa objekte tjera të vjetra në lagjen “Ulpiana”, si dhe disa objekte banesore në lagjen “Kalabria” dhe në rrugën B”, ka treguar zëdhënësja Afërdita Uka, shkruan Telegrafi.

Aktualisht tarifat për ngrohje për subjektet banesore për metër katror janë 0.78 euro + TVSH, ndërsa për subjektet afariste dhe institucionet janë 0.97 euro metri katror+ TVSH-ja.

Telegrafi ka folur më disa banorë në rrugën “B” në Prishtinë, të cilët kanë blerë banesa dhe nuk janë lidhur në rrjetin ngrohës. Ata kanë treguar se ngrohja u kalon para banesave e nuk janë të kyçur. /Telegrafi/