eksperti-banner

Me avancimin e shtetit të Kosovës në muajt dhe vitet në vijim, dy shtetet shqiptare Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë nga dy ulëse nëpër të gjitha organizatat ndërkombëtare, si në OKB, NATO, BE…; kurse në rrjetin e jashtëm politiko-diplomatik shqiptarët do të kenë nga dy ambasadorë, na dy ministra të jashtëm, nga dy presidentë, dy kryeministra, që do të ngritin zërin për mbrojtjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe gjetiu…

Dridhjet tektonike në kohën e fundit në Maqedoni, me epiqendër Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, përmes enciklopedisë kontroverse, tendencioze dhe famëkeqe, u vërejtjen fuqishëm në Maqedoni, në tërë Kosovën si dhe në gjithë Shqipërinë, dhe jo vetëm, por edhe në Komisionin Evropian, në ambasadën e SHBA-ve dhe atë të Britanisë së Madhe në Shkup, që shtetit të vogël të Ballkanit i cili synon integrimet euroatlantike i shkaktoi një “tërmet prej 8.5 shkallësh” në rrafshin politiko-diplomatik, ngjashëm si ai i vitit 1963 kur Shkupin e kishte shndërruar në gërmadha e rrënoja duke shkaktuar e lenë pasoja për vite me radhë.

Reagimet, kritikat dhe debatet e pa rreshtuara nga publicistët, analistët, politikanët, intelektualët, akademikët, partitë politike, organizatat e ndryshme dhe opinioni i gjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora shqiptare nuk njohën dhe nuk patën të ndalur, prej se u bë i ditur lajmi nga mediet për fyerjen dhe provokimin e shqiptarëve përmes enciklopedisë kontroverse, tendencioze dhe famëkeqe, në të cilën shkruan se shqiptarët janë ardhacak me prejardhje nga mali, të ardhur në shekullin e 16 nga pjesa veriore e Shqipërisë dhe të vendosur dhunshëm në Maqedoni, duke i dëbuar maqedonët nga fshatrat e tyre?!

Maqedonisë sikur nuk i mjaftonte problemi i jashtëm që tani e sa kohë e ka rreth kontestit të emrit me Greqinë, dhe pikërisht tani i duhej edhe hapja e një problemi të një dimensioni tjetër shumë herë më të madh dhe më të rrezikshëm; ri ndezjen e problemit të brendshëm etnik me shqiptarët përmes falsifikimit dhe shtrembërimit të historisë së shqiptarëve në enciklopedi, që shtetit të vogël të Ballkanit i cili synon integrimet euroatlantike duket se i shkaktoi rrënoja dhe gërmadha të përmasave të mëdha në rrafshin politiko-diplomatik me shqiptarët në Maqedoni, dhe jo vetëm, por edhe me shqiptarët e dy shteteve të saj fqinje me Kosovën dhe Shqipërinë, dëme këto të cilat si duket do t’i marrin kohë dhe do t’i kushtojnë asaj në normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët, rast ky të cilin këta të fundit nuk janë duke e lëshuar, por po e shfrytëzojnë në favor të vetin. Kjo gjë më së miri u pa me prononcimet e deklaratave unanimisht prej të gjithë krerëve politik në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.





Themelet e shtetit maqedonas i dridhi gjithashtu edhe reagimi i përbashkët i dy ambasadave, i asaj të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Shkup, shtetet e të cilave përfshihen në enciklopedi se gjoja oficerët e tyre i kanë trajnuar ushtarët e UÇK-së në Maqedoni gjatë luftës së 2001-ës. Dridhjet vazhduan edhe ditën tjetër me prononcimin e Komisionit Evropian se efektet negative të shkaktuara nga enciklopedia ditëve të fundit do të mund të përfshihen në raportin vjetor që do të nxjerrët për Maqedoninë kah mesi i tetorit të 2009-ës, i cili me siguri se do t’i shkaktojë efekte negative Maqedonisë e cila shpreson fitimin e të drejtës për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Efektet negative të shkaktuara nga kjo enciklopedi nuk do të reflektohen vetëm në këtë rrafsh, por edhe më gjerë, sepse qysh tani qeveria dhe shteti maqedonas ndihen në siklet, gjë e cila u pa edhe me vet deklarimin e kryeministrit të vendit Nikolla Gruevski, dhe me të drejt, sepse kjo enciklopedi mund t’i hapë telashe të paparashikuara në prishjen e stabilitetit të saj të brendshëm si dhe telashe duke ia komplikuar punët edhe më shumë drejt rrugës së integrimit evropian dhe të pranimit në NATO.

Edhe nga ky këndvështrim situata për shtetin e Maqedonisë duket të jetë e disfavorshme. Më realizimin e pavarësisë së Kosovës vitin e kaluar dhe me hyrjen e Shqipërisë në NATO këtë vit, shqiptarët janë faktorizuar si kurrë më parë në Ballkan, duke u shndërruar në faktor stabiliteti por qoftë nevoja edhe destabilizimi në rajon. Ky faktorizim secilën ditë e më shumë është duke i kthyer shqiptarët në vendin e merituar që e kishin dikur- pra në qendër të vëmendjes dhe forcës, ndikimi i të cilëve në mileniumin e tretë në Ballkan do të jetë ndikim shumëdimensional; i rrafshit politiko-diplomatik, socio-ekonomik dhe kulturor; duke pasur parasysh së tanimë shqiptarët kanë dy shtete të tyre, Shqipërinë dhe Kosovën, kurse vet brenda për brenda Maqedonisë shqiptarët janë element përbërës shtet formues, jo siç thuhet me 25% të popullatës, por realja e trajektores tregon se numri i shqiptarëve prek 40%-in në Maqedoni.

Me avancimin e shtetit të Kosovës në muajt dhe vitet në vijim, dy shtetet shqiptare Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë nga dy ulëse nëpër të gjitha organizatat ndërkombëtare, si në OKB, NATO, BE, BERZH, PE, BB, FMN dhe nëpër të gjithë organizmat tjerë relevant ku zëri i tyre do të ndihet fuqishëm; kurse në rrjetin e jashtëm politiko-diplomatik shqiptarët do të kenë nga dy ambasadorë, nga dy ministra të jashtëm, nga dy presidentë, dy kryeministra, etj, etj. që do t’i prezantojnë shqiptarët dhe që të ngritin zërin për mbrojtjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe gjetiu kudo që do të hyjnë dhe do të dalin. Kjo është pak a shumë deri diku kompensim i bashkimit kombëtar, që shqiptarët i bën me peshë me të madhe dhe me të fuqishëm në shekulli 21 në Ballkan dhe më gjerë.

Maqedonasit duke e parë këtë realitet të ri dhe se tanimë kufizohen me dy shtete shqiptare dhe duke ditur se shqiptarët në Maqedoni përbejnë gati gjysmën e popullsisë shtet formuese, duhet ta dinë dhe ta kuptojnë mirë njëherë e përgjithmonë se qenia dhe ekzistenca e tyre varet drejtpërdrejti nga faktori shqiptar, pa të cilin ajo nuk do të mund të ekzistojë dhe as të mbijetojë. Maqedonasit gjithashtu duhet ta dinë dhe ta kuptojnë mirë se nuk do të mund të fitojnë të drejtën për integrimin në Bashkimin Evropian pa i plotësuar dhe pa i realizuar të drejtat e shqiptarëve në mënyrë të barabartë si me gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë të paraparë edhe në marrëveshjen e Ohrit, si dhe as të pranohen në NATO pa pëlqimin e Shqipërisë e cila tanimë është anëtare e saj.


Përveç varësisë në rrafshin politiko-diplomatik nga shqiptarët, shteti maqedon është dhe do të jetë e varur edhe në rrafshin socio-ekonomik. Për shembull, Maqedonia nuk do të mund të heq dorë nga eksporti më i madh i saj që ka në shtetin e Kosovës në vlerë të mallrave për mbi 300 milion euro në vit, nuk do të mund të heq dorë nga përfitimet që do të ketë nga auto-rruga e Arbërit që brenda dy viteve përmes Shqipërisë do ta lidh Maqedoninë drejtpërdrejt me detit Adriatik dhe me portet e Shqipërisë, nuk do të mund të heq dorë në të ardhmen e afërt as nga nevojat e saja për furnizimin me energji nga Shqipëria dhe Kosova dhe nuk do të mund të heq dorë edhe për shumë e shumë gjëra të tjera që në mënyrë direkte apo indirekte Maqedoninë e bëjnë të varur nga shqiptarët në Ballkan. Me fjalë të tjera, fati i Maqedonisë i perspektivës dhe ardhmërisë së saj është në duart e shqiptarëve.

Kështu që duke i shtypur dhe fyer shqiptarët, Maqedonia nuk do të mund të ekzistojë dhe as të mbijetojë por do të mbetet e izoluar dhe në mjerim. Kurse për t’i ndrequr dhe korrigjuar demet që i shkaktoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë nuk mjafton vetëm tërheqja e kësaj enciklopedie nga shitja, por duhet të ndalohet edhe ribotimi që pritet të del se shpejti kinse i korrigjuar. Dhe as kjo e fundit nuk mjafton, sepse shqiptarëve duhet t’ju kërkohet falje publike nga të gjithë krerët e lartë shtetëror të Maqedonisë që e financuan dhe e lejuan të botohen kjo enciklopedi nga institucioni më i lartë i dijes së vendit- Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë.

Për fund, maqedonasit por edhe gjithë fqinjët tjerë duhet ta kuptojnë se shekulli i 21 është shekulli i Shqiptarëve në Ballkan, deshën apo nuk deshën, u pëlqeu apo nuk u pëlqeu. Kurse Shkupi duket se nuk do të mund ta rimarrë veten pas këtij “tërmeti” që e dridhi atë, pa ia ngjitur dorën përsëri bashkësia ndërkombëtare në mesin e të cilave edhe dy shtetet që po ashtu u fyen në enciklopedi, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ngjashëm siç u ndihmua të rimëkëmbet përsëri nga gërmadhat dhe rrënojat e tërmetit të 1963-ës.