LAJMI I FUNDIT:

Teoria e Maslowit dhe godina e teatrit

Teoria e Maslowit dhe godina e teatrit

Sot, një pjesë e atyre që shpreheshin kundër prishjes së teatrit, kanë kaluar në anën ekstreme, se godina duhet shembur. Në fakt, e kanë një justifikim, e për hir të së vërtetës të gjithë bashkohen në një pikë: duhet një godinë e re! “Aman, nuk duhen Kullat nga pas”, shprehen artistët. “Duhen dhe kullat”, shprehen proqeveritarët, duke e justifikuar partneritetin PPP, sepse shteti shqiptar nuk ka fuqi.

Konjukturat, realitetet e reja, i kanë bërë shumë prej njerëzve të komunitetit të artit t’i shikojnë me kujdes hapat e tyre dhe të gjykojnë se çfarë do të ishte më e mirë. Dhe, kjo kuptohet, shprehen qartë, atje ku përshtaten më shumë interesat!


Për çdo të hënë, një grup artistësh shqiptarë, në një ritual gati të përjavshëm shtuar dhe me njerëz të shoqërisë civile, protestojnë, deklamojnë, kërkojnë dhe apelojnë. Drejtori aktual, i riemëruar, nuk i qas brenda me justifikimin e qartë sepse është ditë pushimi dhe se punëtorët e infrastrukturës duhet të qetësohen. Vetë ai, Hervin Çuli, është një nga të akuzuarit sot për shkak të qëndrimeve të tij. Në intervista, si edhe shumë të tjerë e kanë shpjeguar dyzimin. Është një teatër i ri (Turbina), artistët kanë sot se ku të aktrojnë, por është koha që të kapim momentin dhe predispozitën e qeverisë: Duhet ndërtuar!

Artistët, nga ana tjetër, janë dakord të ndërtohet, madje sollën dhe një variant të tyren, por pa kulla pas dhe i njëjti territor t’i takojë sërish teatrit. Në këtë logjikë shkon dhe ankimi në një intervistë të fundit i Çulit, që kërkon hapësira shtesë për rekuizitën, kostumografinë dhe skenografinë.

Tirana dhe e gjithë Shqipëria është e mbathur me histori pafundi ekzistence, me kronikën e zezë që nuk di të zbrazet ndonjë ditë dhe problematika të shumëllojta sociale. Që shpesh e largon vëmendjen nga teatri, sepse dalin në pah gjëra të tjera. Shumë syresh që lidhen direkt me mbijetesën.

Në piramidën e nevojave apo në Teorinë e piramidës se Maslow-t ka një hierarki të përcaktuar qartë të zhvillimit ekonomiko-social te njeriut. E ashtuquajtura “Teoria e motivimit te njeriut” , që hartoi psikologu Maslow është e ndërtuar grafikisht si një piramidë dhe lidhet me faktin sesi mund të motivohet njeriu në jetë, punë apo shoqëri. Nevojat personale bazike janë shtrati i piramidës ose kati i parë i saj dhe ato lidhen me nevojat fizike, ushqimin dhe ujin, por edhe të drejtën e pasjes së një strehe, kurse niveli i dytë është ai i sigurisë personale, financiare dhe atij të shëndetit. Në nivelin e tretë ose katin e tretë hyn shoqërizimi ku krijohen lidhjet sociale dhe intime dhe një kat më sipër identifikohet plotësimi i nevojës apo kërkesës së vetëbesimit, vetërespektit. Këtu hyn vlera e vërtetë e individit, që lidhet si me plotësimin e të drejtave ndaj vetvetes, por edhe ato që individi kontribuon ndaj të tjerëve. Niveli krejt epëror ka të bëjë me atë se çfarë mund të arrijë njeriu me punën, qëllimin dhe mundësitë e tij. Me pak fjalë, njeriu duhet t’i kalojë me sukses të gjitha stadet, për të arritur një qëllim përmbushje. Nuk është e vështirë për të kuptuar se ku janë shqiptarët e shekullit XXI, ata ende sot luhaten në përmbushjen e gjërave bazike dhe pikërisht në ato ku duhet drejtuar vëmendja e një shteti gjithnjë e më shumë indiferent.

Duke u kthyer në argumentin tonë: Përpjekja dhe mbështetja e njerëzve ndaj aksionit për mos prishjen e teatrit, paçka apelit dhe fjalëve patetike të njerëzve të teatrit, është e vogël. Arsyeja është e thjeshtë: shumë nga njerëzit luftojnë në katin bazë të piramidës. Kjo bën që pushteti të punojë i qetë dhe ta shtrijë sa më larg synimin e vet, shpesh duke shkelur mbi zona ku duhet të jetë e kujdesshme. Kështu, në orët e fundit, me shumë cinizëm po merr udhë shembja e Teatrit dhe në media po zbardhet vendimi i Bashkisë, që e kalon pronën tek investitori privat. Argumenti është se tashmë Bashkia e Tiranës është e hapur për ndërtime në pronat e saj, të papërdorshme e të pashfrytëzueshme deri më sot. Kjo është arsyeja që ajo ka përgatitur rrugën e negocimit me privatët, të cilët dëshirojnë të ndërtojnë në parcelat e saj, por jo vetëm. Në një kërkesë listohen 18 prona shtetërore që kalojnë në favor të saj, me qëllimin për t’u përdorur në arsim, infrastrukturë dhe ekonomi.

Po a mund të ndërtohet në këtë truall?

Ai është prej kohësh i lakmuar dhe në synimet e Ramës, qëkur ishte ministër i Kulturës. Për drejtorin aktual, në intervistën e fundit te “Panorama”, ndryshimi është imediat. “Që në vitin 2014, kur kam shprehur shqetësimin tim për gjendjen skandaloze, në të cilën ndodhet Teatri Kombëtar, se ka ardhur koha që Tirana dhe e gjithë Shqipëria të ketë një godinë të re për TK, një teatër të së ardhmes. Më duket shumë i vështirë rikonstruksioni i një hapësire, që përfshin Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental, që e ka godinën në përdorim, pra, është pjesë e TK. Kjo sepse degradimi i sallës aktuale të TK është i jashtëzakonshëm. Aktualisht punojmë në një godinë, që përveç problemeve infrastrukturore, të degradimit, ka edhe probleme të tjera me hapësirat, që i nevojiten këtij institucioni. Ne nuk kemi magazinë. Na nevojitet një hapësirë pesëfish më e madhe për depon e dekoreve. Nuk arrijmë të ndërtojmë një repertor, sepse nuk kemi hapësira për të vendosur dekoret e shfaqjeve. Kemi probleme me hapësirat e gardërobës, që është shumë e vogël, me një lagështirë të tmerrshme dhe kostumet rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi njëri-tjetrin, duke u kalbur. Kemi probleme të mëdha me rekuizitën e teatrit, me marangozin, mekanikun, piktorin. Pra, është një institucion që i duhet minimalisht një hapësirë pesëfish më e madhe për sa më sipër. Për të kaluar te problemet e skenës. Ky është një teatër pa xhepa. Xhepat janë nga gjysmë metri, saqë aktorët përplasin kokën në muret që gjenden pas skene, pasi ashtu janë konceptuar që në atë kohë. Dhomat e aktorëve në katin e dytë dhe të tretë, janë shumë të vogla, të degraduara dhe që janë shumë pak për numrin e aktorëve të TK”.

Nga ana tjetër, ekspertë të artistëve shprehen se konstruksioni i saj është shumë i fortë dhe teatri mund të ristrukturohet, ashtu si mund të ndërtohet një i ri që t’i kënaqë të gjithë, por në këtë hapësirë dhe pa kulla pas. Po fondet? Për artistët është e lehtë nëse nis një fushatë kombëtare, kurse për shtetin është gjithnjë e pamundur.

Shqipërisë i duhet një teatër i ri, por më parë duhet që qytetarëve shqiptarë t’u plotësosh nevojat më imediate bazike. Po të kujtosh ato që thotë Banka Botërore se me çfarë sasie parash jetojnë shqiptarët, atëherë bindesh se ndihma për aktorët asnjëherë s’do jetë e madhe, ani pse duhet që vetë shteti shqiptar të jetë i ndershëm për të ardhmen. Dhe, qëndrimi ndaj godinës dhe Teatrit do të tregojë realisht sesa e ndih realisht popullin e vet kjo qeverisje. Në një farë mënyre artistët kanë mbetur vetëm sepse e gjithë Shqipëria në kushtet që është sot është në një gjendje të rëndë. Ky është çelësi i cinizmit të shtetit dhe pafuqia e artistëve për të ndryshuar një realitet, për të cilin duam apo nuk duam kemi kontribuar të gjithë. Gjithsesi, kryeministri Rama që e ka marrë si kauzë të vetën, duhet të gjejë një zgjidhje për të mos ua prekur dinjitetin këtyre artistëve, që paçka përfoljeve, përbëjnë një pjesë të adhurueshme të njerëzve. Mu atyre që në masë të madhe luftojnë me të përditshmen dhe me përpjekjen të kenë një strehë.

A do mundet Rama vetë të veprojë arsyeshëm, edhe pse, ai bashkë me njerëzit e tij në pushtet, janë në majën e piramidës së Maslowit?!

Ka pak gjasa, sepse vetë teoria e psikologut të shquar, i jep zgjidhje pyetjes se pse shqiptarët janë aq skeptikë me gjërat që ndodhin, por edhe me realitetin… me të cilin u shërbehet çdo moment!