LAJMI I FUNDIT:

Të përbashkëtat e kritikëve që shanë Georgia O’Keeffe-in

Të përbashkëtat e kritikëve që shanë Georgia O’Keeffe-in

Nga: Katy Hessel / The Guardian (titulli origjinal: What did the critics who trashed Georgia O’Keeffe have in common? See if you can guess)
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1993 erdhën vlerësimet për ekspozitën e Georgia O’Keeffe-it në galerinë Hayward të Londrës. Në [ditoren] Independent, Andrew Graham-Dixon e krahasoi artisten amerikane me një “ilustrator komercial” që ka “talent të kufizuar … por, ambicien për t’u mbajtur mend si një Rembrandt”. Brian Sewell nga Evening Standard tha se veprat e saj “ishin amatore – në mënyrë të pakthyeshme “. William Feaver nga Observer deklaroi se pikturat e saj “ishin imazhe të përshtatshme mujore për një kalendar”, ndërsa vlerësimi i shkruar nga Hilton Kramer në Sunday Telegraph e quajti atë si “shumë të mbivlerësuar”, duke shtuar se “bukuria e saj e madhe personale luajti rol të madh në mitin që tashmë i bashkëngjitet emrit të saj”.


Shumë prej këtyre komenteve citohen në një artikull të shkruar nga Beatrix Campbell, të botuar në Independent më 1993, me titullin: Arti i një gruaje që burrat refuzojnë ta shohin. Campbell e kërkoi një lexim më intelektual të O’Keeffe-it – duke u ankuar se “kritikët e artit të gazetave kombëtare nuk mendojnë se është e nevojshme të shpjegojnë ose të kenë empati … ose ta lokalizojnë atë në historinë e modernizmit amerikan”. Kjo më shtyri të mendoj se si kaq shumë kritika të artit shkruhen nga këndvështrimi mashkullor dhe nga çekuilibri jashtëzakonisht i gjerë gjinor që ende ekziston brenda kësaj.

Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?
Lexo po ashtu Pse pikturat e burrave kushtojnë dhjetë herë më shumë se ato të grave?

Javën e kaluar, në rrjetet sociale e shpërndava kopertinën e Historisë së Artit të EH Gombrich-ut. Versioni i parë i vitit 1950 nuk i përfshinte fare gratë artiste, dhe botimi më i fundit e përfshin vetëm një (Käthe Kollwitz), kështu që në kopjen time shkrova – “pa gra”. Në disa komente u tha se Gombich-u kishte “shikim të errësuar”, të tjerët thanë se gjesti im ishte “jo anulim”, por “informacion i shtuar”. Megjithatë, shumica komentuan se mungesa e përfaqësimit të artistëve që nuk janë meshkuj kishte bërë që historia e artit të ndihej e parëndësishme për ta.

Pse gratë si O’Keeffe morën vlerësime kaq të këqija? “Gjithçka që kritikët – shpeshherë meshkujt – nuk guxuan ta thoshin për Picasso-n apo për Matisse-n, e hodhën mbi gratë”, më tha shkrimtarja Julia Voss. “Artistet gra shpeshherë nuk kishin një lob apo ndonjë mbështetje të fuqishme. Gratë për një kohë të gjatë kanë qenë objektiva të lehta, jo vetëm në botën e artit”.

Voss është biografe e Hilma af Klint-it – një artiste krijimtaria e së cilës i ka ndryshuar idetë për fillimet e “abstraksionit” në kanunin perëndimor, më shumë se çdokush tjetër në dekadën e fundit. Pikturat e saj u panë për herë të parë në vitin 1987 në ekspozitën Shpirtërorja në art: Pikturat abstrakte 1890-1985 në Muzeun e Los Anxhelosit në ShBA dhe ato u pritën me ashpërsi nga kritikët. Kramer shkroi: “Pikturat e Hilma af Klint-it në thelb janë diagrame me ngjyra. T’ua japësh atyre një vend nderi krahas punës së Kandinsky-it, Mondrian-it, Malevich-it … kjo është absurde. Thjeshtë, Af Klint nuk është artiste e klasës së tyre dhe – le të guxojë dikush ta thotë këtë? – nuk do t’ia kishin dhënë kurrë trajtimin e tillë të fryrë nëse nuk do të kishte qenë grua”. Një koment ky që, për mua, duket më shumë i çuditshëm sesa faktik.

Megjithëse kritikat për O’Keeffe-in datojnë vetëm 30 vjet më parë (në krahasim me shekullin XIX, kur gratë nuk lejoheshin as të votonin), dikush mund të pohojë se ato janë produkte të kohës. Megjithatë, nuk mund të mos e vërej se si ata flasin për mënyrën se si seksizmi është ende i rrënjosur – dhe në dukje i pranueshëm – brenda narrativave të historisë së artit.

Georgia O’Keefe, një forcë e natyrës
Lexo po ashtu Georgia O’Keefe, një forcë e natyrës

Është një pyetje që për çdo ditë ia bëj vetes: a ishte vendim i ndërgjegjshëm për t’i hequr gratë nga historia e artit? Gratë kanë bërë art gjatë mijëra vjetëve, kështu që nuk është se nuk ekzistuan. Por, siç thotë Voss, grave u mungojnë “mbështetësit e fuqishëm”. Nuk kam dyshim se ekzistonin gratë kritike të artit, por a ishte platforma e tyre në të njëjtin nivel me homologët meshkuj? Kush do t’ua jepte atyre mundësinë për ta kundërshtuar dominimin e narrativës së meshkujve të bardhë – dhe seksizmit me të cilin kjo shprehej?

Në vitet e fundit, institucionet dhe studiuesit goxha kanë punuar për ta ndryshuar të ashtuquajturin kanun, duke u marrë me ekspozitat e mëdha lëvizëse të grave dhe të grupeve të tjera të njerëzve të anashkaluar. Publiku është padyshim i uritur për ta, pasi ekspozita e parë e madhe e Af Klint-it në ShBA theu rekordin e frekuentimit në Guggenheim, me mbi 600 mijë njerëz që do e kanë parë atë.

Pavarësisht kësaj, kritika e artit mbetet kryesisht e bardhë dhe mashkullore. Kjo nuk do të thotë se kritikët që kemi duhet të heqin dorë nga rolet e veta; ka të bëjë më shumë me atë se ne duhet të kemi zëra tjerë të fuqishëm – të moshave dhe të prejardhjeve të ndryshme. Sepse, nëse një gamë e gjerë njerëzish nuk e tregojnë historinë e artit, atëherë ne nuk e marrim pamjen e plotë. Dhe, mënyrat me të cilat ne mendojmë për artin, pavarësisht progresit diku tjetër, do të mbeten shumë të njëjta. /Telegrafi/