LAJMI I FUNDIT:

A do të kërcënohet shëndeti publik edhe këtë dimër nga ndotja e ajrit?

A do të kërcënohet shëndeti publik edhe këtë dimër nga ndotja e ajrit?

Teksa stina e ngrohtë po shkon drejt përfundimit e po afron koha kur në vendin tonë fillojnë përgatitjet për sigurimin e ngrohjes për dimër, Kosova me shumë gjasë edhe këtë vit do të shkojë drejt stinës kur ajri do të shndërrohet në kërcënim për shëndetin publik

Nora Simitçiu,
Ekologe


Raporti i Progresit për Kosovën për periudhën 2020 kishte konfirmuar dështimin e autoriteteve për të miratuar dhe zbatuar masa që do të përmirësonin cilësinë e ajrit, veçanërisht kishte specifikuar se Strategjia e cilësisë së ajrit tërësisht nuk ishte zbatuar gjatë asaj periudhe. Tetori i këtij viti bashkë me stinën e ftohtë dhe me ndotjen e pakontrolluar do të sjellë edhe një raport të ri të këtij Komisioni.

Autoritetet shtetërore duhet të fillojnë të mendojnë seriozisht që të përmirësohet jeta e qytetarëve dhe situata të viteve të kaluara kur ndotja kimike e ajrit bashkë me pandeminë ishin bërë kërcënim i madh për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe kryetemë në raporte për dështimin institucional në aspektin mjedisor.

Shteti i Kosovës vazhdon të ketë në funksion shkaktarë të rrezikshëm të ndotjes së ajrit. Ky rrezik veçanërisht na vjen nga termocentralet e vjetruara, ngrohja shtëpiake, trafiku, emetimet industriale dhe djegia e mbeturinave dhe materialeve të tjera toksike të cilat tashmë kërkojnë masa urgjente.

Poashtu një problem tjetër i madh që duhet të specifikohet është se masat për të zbatuar ndalimin e qymyrit për ngrohje deri më sot nuk kanë qenë efektive dhe kanë munguar subvencionet për krijimin e alternativave të reja të ngrohjes.

Në Kosovë tashmë janë të qarta zonat në të cilat niveli i ndotësve të ajrit i tejkalon vlerat kufitare dhe institucionet duhet që me prioritet të krijojnë plane për përmirësimin e cilësisë së ajrit, përndryshe pasojat në shëndetin e njeriut dhe në gjendjen e biodiversitetit do të jenë të pakapërcyeshme.

Prishtina vazhdimisht gjatë viteve të fundit është renditur ndër vendet e para në botë me ndotjen më të madhe të ajrit. Qytetarët të cilët i ekspozohen këtyre kushteve kanë pasoja afatgjata dhe shpesh të parikuperueshme shëndetësore.

Efektet shëndetësore nga ndotja e ajrit përfshijnë sëmundjet e zemrës, kancerin e mushkërive dhe sëmundjet e frymëmarrjes. Kjo ndotje me të cilën përballen qytetarët e Kosovës mund të qojë edhe në dëmtim të nervave, trurit, veshkave, mëlçisë dhe organeve të tjera. Madje sipas një studimi të Universitetit mjekësor të Stanfordit në SHBA konkludohet që një ndotje e tillë e ajrit sjell edhe defekte të lindjes.

Përveç shëndetit të njeriut edhe ekosisteme të tëra mund të jenë viktimë e ndotjes së ajrit. Grimcat e ajrit të ndotur bien në tokë dhe kontaminojnë drejtpërdrejt sipërfaqen e gjallesave të ujit dhe tokës. Kjo ndikon në dëmtim të të korrave duke kontaminuar dhe zvogëluar rendimentin e tyre.

Shirat acidike pastaj janë një rezultat tjetër i këtij fenomeni. Kur shirat acidike bien në tokë ata ndryshojnë përbërjen e dheut; degradojnë cilësinë e ujit në lumenjtë, liqenet dhe rrjedhat; si dhe dëmtojnë kulturat e mbjella. Përqendrimet e dëmshme të ndotësve në këtë mënyrë poashtu depërtojnë drejtpërdrejt në ujërat tanë të pijshëm.

Qeveria e re e Kosovës duhet të jetë në dijeni që vendi ynë është ndër vendet e para në botë me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit dhe duhet t’i japë pritoritet urgjentisht mitigimit të ndotjes së ajrit në sezonin që na pret.

Niveli qendror duhet që të krijojë një ekip profesionistësh të cilët do të punojnë në ofrimin e zgjidhjeve dhe praktikave të qëndrueshme dhe të mos lejojë që jeta e qytetarëve dhe ekosistemet natyrore të vazhdojnë të rrezikohen shkaku i mungesës së vullnetit politik për zbatimin e masave në këtë aspekt.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori