LAJMI I FUNDIT:

Të jetosh mes mykut dhe të rrethuar nga minjtë – jeta e vështirë e familjes Dobratiqi nga Prishtina

Kushtet e rënda ekonomike, mungesa e strehimit dhe përballja me sëmundje të ndryshme, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen shumë familje kosovare. Me probleme të tilla përballet edhe familja pesë anëtarëshe e Murat Dobratiqit nga Prishtina.

Dobratiqi në një rrëfim për Telegrafin ka treguar problemet me të cilat përballet çdo ditë ai së bashku me tri vajzat dhe bashkëshorten.


“Kemi problem për sigurimin e ushqimit”, shpreht Murati teksa sytë i shkonin tek qesja me bukë që e kishin vendosur në mini korridorin e shtëpisë, që tri vajzat e tij të ushqehen së paku me një vakt të ushqimit.

Murati jeton me tri vajzat e tij dhe bashkëshorten në një shtëpi që është e “pushtuar”, nga minjtë dhe myku. Përkundër kësaj ai nuk ka mundësi që as qiranë e saj ta paguaj për shkak se sipas tij i’u është ndaluar edhe pagesa e socialit që deri në korrik të këtij vitit ishte përfitues i saj.

Brenda shtëpisë së familjes Dobratiqi dhe kushteve të rënda ekonomike

“Kushtet shumë të rënda, nuk punoj askund vetëm kush më thirr me punua diçka. Të ardhura tjera nuk kemi. Socialin e kemi marr deri në muajin korrik, me 25 korrik na e kanë ndalë edhe atë, për shkak se fëmja i ka bërë pesë vjet. Unë i kam tri vajza dhe në këtë gjendje as armikun mos e pafsha asnjëherë”, shprehet i zhgënjyer kryefamiljari, Murat Dobratiqi.

Vendi ku flejnë tri vajzat e Murat Dobratiqit

Kushtet shumë të rënda në shtëpinë e cila nuk përmbush as kushtetet elementare për jetesë, bënë Muratin që me zemër të thyer ta drejtoj shikimin nga kamera dhe të iu lutet njerëzve shpirtmirë që t’i ndihmojnë në sigurimin e një shtëpie.

“Për momentin nuk kam asnjë shpresë, mu kanë këputë shpresat që po bahet mirë për mua. Iu kisha lut të gjithë atyre që kanë mundësi që për hirë të fëmijëve të na ndihmojnë në sigurimin e një shtëpie. Kemi nevojë për veshmbathje për ushqim dhe për gjithçka tjetër por për shtëpi më së shumti”, shprehet Murati.

Murat Dobratiqi

Barra e sigurimit të ushqimit bie edhe mbi bashkëshorten e Muratit e cila për familjen duhet të pastrojë tërë ditën kur e thirr dikush. Kjo sepse është e papërballueshme për këtë familje pas ndërprerjes së socialit dhe inflacionit në Kosovë të mbijetojnë.

“Këtu jetojmë me qira e paguajmë 135 euro, me shpenzimet e ujit dhe energjisë elektrike, mbërrin deri në 200 euro muaji vetëm me këto. Bashkëshorten kush e thirr dikush për t’ia pastruar shtëpinë shkon, me ato para a me pagua qiranë a me sigurua ushqimin e ditës”, tregoi Murati duke i mbledhur këmbët për shkak se ende nuk kishin mundur që t’i sigurojnë drutë për dimër dhe shtëpia nuk ishte e ngrohtë.

Shporeti i cili nuk ndizet derisa të bëhet acar, në shtëpinë e Murat Dobratiqit

E për shkak se drutë këtë vit kanë çmimin më të lartë, kjo ia bënë më të pamundur sigurimin e tyre, thotë Murati.

“Shumë e vështirë, zoti i shpërbleftë atyre që vendosin të na ndihmojnë. Po duhet bukën prej kafshatës me e nda që të sigurojmë dru, kurse këtë vit do ta kemi shumë të vështirë sepse metra e druve është shumë e shtrenjtë”, u shpreh ai.

“Nuk po mundem me përballu ndonjëherë po them, ta kapi kokën dhe të humbas dikund”, shprehet mes lotëve Murati, nga pafuqia për të bërë diçka më shumë për jetën e vet dhe të tri vajzave të tij.

Emocionet e Murat Dobratiqit, kur fliste për vajzat e tij dhe kushtet e rënda në të cilat jetojnë ato

Ai Telegrafit i tregoj edhe kohën kur ishte i detyruar ta ndërrojë shtëpinë pasi ia kishin ndaluar pagesën e socialit.

“Kisha pas dëshirë që përmes jush t’ia dërgoj një mesazh. Ata është dashur ta dërgojnë një komision që të del dhe ta sheh në çfarë kushtesh jetojmë ne dhe pastaj të vendosë të na e ndalë pagesën e socialit. Përpara kemi banuar në një lagje tjetër të Prishtinë, prej kohës kur na e kanë ndalë socialin kemi kalua këndej. Nuk po mundem me përballu”, tregoi ai.

Gjendja e banjos ku hapsira e saj është shumë e vogël dhe nuk ka ujë të ngrohtë

Shtëpia e cila nuk ka kushte për jetesë, ka një banjo shumë të vogël dhe kjo e pengon familjen Dobratiqi që t’i kryejnë nevojat e tyre në të, pasi e njëjta nuk ka as ujë të ngrohtë.

“Këtu është banjo dhe është shumë e vogël, nuk ka kushte këtu për t’i kryer nevojat. Këtu nuk kemi as ujë të ngrohtë”, përfundoi Murati, me shpresë që dikush nga qytetarët do t’i ndihmojnë dhe sado pak të ia lehtësojnë gjendjen e tij të rënduar tash e sa kohë.

Të gjithë ata që duan të ndihmojnë familjen Dobratiqi, mund të kontaktoj të zotin e kësaj shtëpie Murat Dobratiqin në këtë numër telefoni: +38344156954. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

Drejtësi
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

Lajme
Kalo në kategori