Në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Poloni, delegacioni i Maqedonisë së Veriut pret që të marrin mbështetje financiare prej 40 milion euro për 3 projekte infrastrukturore. Rruga Shkup-Bllacë, projekti i gazsjellësit nga Greqia si dhe projektin e stacionit të përbashkët hekurudhor mes vendit dhe Serbisë në Tabanoc. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev tha se zhvillimi ekonomik i vendit duhet të bëhet përmes largimit të barrierave kufitare mes 6 vendeve të rajonit.

“Unë dua të tregoj gatishmërinë si Republikë e Maqedonisë së Veriut që menjëherë të hyjmë në këtë proces, jemi të gatshëm të kontribuojmë në këtë proces. Duam të bëjmë një bashkësi ekonomike të rajonit sepse vetëm në atë mënyrë më lehtë do të bashkëpunojmë me të gjithë BE-në. Nuk ka asnjë kuptim që mes nesh të vëmë kufij dhe të deklarohemi se duam të bëhemi anëtare të BE-së” deklaroi Koço Angjushev, Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike në Maqedoninë e Veriut.

Edhe Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili po merr pjesë në këtë Samit, theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.

“Tanimë kemi të kompletuar autostradën nga veriu drejt jugut, i njohur si Korridori 10-të, dhe për momentin po punohet në finalizimin e lidhjes së lindjes me perëndimin, përkatësisht nga Shqipëria drejtë Bullgarisë. Në fazën e ndërtimit është edhe hekurudha deri në Bullgari, sikurse edhe disa rrugë të tjera. Me Shqipërinë e kemi edhe pjesën e autostradës Kërçovë-Ohër, me ç’ rast mundësojmë lidhjen e Shkupit me rrugë cilësore drejt Ohrit, i cili është vetëm 10km afër kufirit me Shqipërinë” deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Numri dy i qeverisë tha se zgjidhja e kontesteve me vende fqinje ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut. /Alsat/