LAJMI I FUNDIT:

Të gjitha detajet nga paraqitja e parë e Thaçit dhe Krasniqit në Gjykatën Speciale

Të gjitha detajet nga paraqitja e parë e Thaçit dhe Krasniqit në Gjykatën Speciale

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi janë paraqitur të hënën për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, ku të dy u deklaruan të pafajshëm për krimet për të cilat Prokuroria pretendon se ata i kanë kryer gjatë periudhës së luftës së viteve 1998-99 në disa zona të territorit të Kosovës.

Me 10 minuta vonesë, nisi seanca ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u paraqit për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të hënën e 9 nëntorit 2020, për tu deklaruar i pafajshëm për akuzat e pretenduara nga Prokuroria.


Drejtuesi politik i ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij, shkurt tha se deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, pasi sekretari administrativ i Dhomave të Specializuara ia lexoi pikat e aktakuzës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Sekretari Administrativ ka thënë se Thaçi akuzohet për vepra penale si krime lufte dhe gjashtë tjera si krime kundër njerëzimit.

“Thaçi akuzohet për këto vepra penale si krime lufte që janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme si dhe për këto vepra penale që janë krime kundër njerëzimit që janë: përndjekje, burgosje, akte tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave”, u shpreh sekretari administrativ i Speciales.

Ai tha se këto krime u kryen në mes të prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë dhe Shqipëri veriore.

“Ato u kryen në këto vende si: Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende tjera në komunë e Podujevës, vende tjera në komunën e Rahovecit, Drenasit, Ferizajt, Gjilanit, Jabllanicë në Gjakovë, Kaçanik dhe vende tjera në komunën e Lipjanit, Likoc në Skenderaj, Malishevë, në Klinë, Novobërdë, vende tjera në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Suharekës dhe Viti dhe Cahan dhe Kukës në Shqipërinë veriore”, tha ai.

Ai shtoi se krimet në pikat 1,2,4,6,8 u kryen si pjesë e një sulmi ndaj popullatës civile.. këto krime kishin në shënjestër kundërshtarët që kishin lidhje me forca, nuk përkrahin UCK-në dhe ishin kundër qeverisë së përkohshme duke përfshirë edhe persona që kishin lidhje me LDK-në.

Kurse krimet në pikat 3.5.7.9 u kryen kundër personave që nuk merrnin pjesë në luftime aktive.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur poshtë të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij.

“I hedhi poshtë të gjitha”, deklaroi Thaçi.

“Aktakuza është e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm plotësisht për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

Gjatë kësaj seance e cila zgjati rreth një orë, i ashpër me prokurorinë dhe në përgjithësi me gjykatën ishte njëri nga avokatët mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper.

Duke nisur nga kritikat për mos-njoftimin me kohë të mbrojtjes për seancën, e deri tek përmendja e “Shtëpisë së Verdhë”, dhe vendosja e prangave klientit të tij, Hooper nuk e lëshoi mundësinë që të thotë edhe se në këtë Gjykatë e cila thuhet se është e Kosovës, nuk ka asnjë simbol të këtij shteti.

Ai ka thënë se për shkak të mos kryerjes së detyrave si duhet nga Specialja, sot nuk kanë mundur të paraqiten me ekipin e plotë të avokatëve.

“Është me keqardhje që them se ky proces është realizuar pa e njoftuar mbrojtjen në kohën e duhur. Unë ju premtoj se do të bashkëpunojë me gjykatën ashtu siç bëri Thaçi gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjatë periudhës së themelimit të kësaj gjykate. Gjykata po e heton këtë çështje për pesë vjet e më shumë, dhe ju e keni aktakuzën së paku para gjashtë muajsh. Ne për herë të parë mësuam për këtë çështje për realizimin e tyre, të mërkurën ose të enjten. Nuk ishte e mundur që të themelohet një trupë mbrojtëse. Për këtë shkak shumë njerëz që kishin dashur të ishin këtu nuk janë”, tha ai.

Avokati i Thaçit me kritika për Specialen: Po bëhen hetime tash e 5 vite, por mbrojtjen nuk e keni njoftuar me kohë
Lexo po ashtu Avokati i Thaçit me kritika për Specialen: Po bëhen hetime tash e 5 vite, por mbrojtjen nuk e keni njoftuar me kohë

Hooper pyeti për pretendimet për trafikim të organeve njerëzore dhe “Shtëpinë e verdhë”, mbi bazën e së cilave tha se pretendohej se ishte krijuar kjo gjykatë.

“Kur e shikojmë aktakuzën ku janë aktakuza për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historia me “Shtëpinë e verdhë”, sepse praktikisht kjo ishte aktakuza lidhur me lindjen e kësaj Gjykate. Asgjë në këtë aktakuzë nuk flet për këto raste”, tha avokati Hooper.

David Hooper, avokat mbrojtës i ish-presidentit, Hashim Thaçi

Avokati më tej pyeti se përse në këtë gjykatë nuk ka asnjë simbol të Kosovës, ani pse thuhet se është Gjykatë e Kosovës.

“Unë i them nuk ka asnjë emblemë të Kosovës, mund të kishim shqiponjën e zezë me ngjyrë të kuqe”, tha Hooper.

Po ashtu Hooper kërkoi për lirim të përkohshëm të Thaçit.

Ai tutje ka shtuar se kërkesa për lirim të përkohshëm do të bëhet në javët e ardhshme.

“Unë mund ta paraqes këtu Thaçin njeri me dinjitet dhe ndershmëri, njeri që i ka shërbyer vendit në liri dhe paqe, burrë që ka arritur shumë dhe nuk i meriton këto pretendime”, ka thënë Hooper.

Sa i përket vendosjes së prangave, në Gjykatë u deklarua se kjo është një procedurë e cila aplikohet te secili person i akuzuar.

Kurse seanca e parë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, filloi në ora 11:00, gjatë së cilës ai është deklaruar i pafajshëm, e që ndër të tjera tha se, përkundër akuzave që i janë bërë, ai nuk ka trajtuar asnjëherë asnjë person, siç e kanë trajtuar atë vetëm gjatë bartjes nga ndërtesa e burgut në atë të Gjykatës.

Sekretarja administrative e Dhomave të Specializuara në Hagë, ka thënë se Jakup Krasniqi akuzohet për disa krime kundër popullatës civile.

Sekretarja theksoi po ashtu se Krasniqi dyshohet të ketë vrarë edhe kundërshtarë që nuk kishin përkrahur UÇK-në, duke përfshire edhe personat që kishin lidhje me LDK-në, transmeton Telegrafi.

“Dyshohet për krime në Bajgore, Llapashtice, dhe disa vendbanime në komunën e Podujevës, po ashtu në disa vende në komunën e Drenasit, në Ferizaj, komunën e Gjilanit, komunën e Gjakovës, komunë e Lipjanit, komunën e Skenderajt, komunën e Malishevës, në komunë e Klinës, në komunë e Prizrenit, në Komunën e Suharekës, dhe në Shqipërinë veriore. Krimet u kryen kundër popullatës civile, kishin në shënjestër kundërshtarët që nuk përkrahin UÇK, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me LDK-në”, tha ajo.

Kurse, i bindur se nuk ka as për çfarë të mbrohet, Krasniqi deklaroi se nuk ka menduar as të marr avokat mbrojtës, por se e ka pranuar një të tillë me insistimin e miqve e familjes.

“Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë të aktakuzës. Nuk jam fajtor për asnjë krim. Së pari, dua të them këtu se unë jam arrestuar më 4 nëntor 2020 në aktakuzë po na quani ndërmarrje e përbashkët kriminale, por dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”, tha Krasniqi.

Krasniqi i emocionuar: Njeriu është më i fortë se guri, populli i Kosovës ka duruar shumë padrejtësi
Lexo po ashtu Krasniqi i emocionuar: Njeriu është më i fortë se guri, populli i Kosovës ka duruar shumë padrejtësi

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se ai po mbahet padrejtësisht në Hagë.

Krasniqi në fjalimin e tij në seancën gjyqësore në Hagë, ka thënë se populli i Kosovës ka duruar shumë padrejtësi, transmeton Telegrafi.

“Njeri është më i fortë se guri, populli ynë ka duruar shumë padrejtësi. Nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi. Ne seancat tjera do të flasë më shumë. Padrejtësia ndaj meje është shumë e madhe, unë do të duhej të isha me familjen time”, theksoi ai.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

Ai shtoi se nuk ka qenë qëllimi i tij trajtimi i njerëzve, por lufta kundër okupatorit që kaq bërë krime në Kosovë.

“E ndjej vetën më shumë se mirë dhe nuk do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë, dhe në asnjë deklaratë timen nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile as serbe as ndonjë tjetër. Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolik dhe mysliman, unë jam shqiptar s’jam as katolik as mysliman dhe kjo për mua është fyese e po ashtu edhe dhe vendin tim”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se nuk ka qenë qëllimi i tij trajtimi i njerëzve, por lufta kundër okupatorit që kaq bërë krime në Kosovë.

“E ndjej vetën më shumë se mirë dhe nuk do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë shpirt krimineli. Jam intelektual jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë dhe në asnjë deklaratë timen nuk e kam drejtuar gishtin nga popullsia civile as serbe, as ndonjë tjetër. Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolik dhe mysliman, unë jam shqiptar s’jam as katolik as mysliman dhe kjo për mua është fyese, e po ashtu edhe për vendin tim”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se “cilësimi i prokurorit që ne qenkemi ndërmarrje e përbashkët kriminale, për mua dhe shokët e mi që luftuam për çlirimin e vendit tonë nuk ka diçka më fyese”.

“Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet formuese. Ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, por edhe koka e saj në Beograd dhe mbështetësit e politikave të Beogradit”, u shpreh Krasniqi.

“Ishte dëshira e familjes dhe shokëve që të pranoj avokat, dhe jam i bindur që nuk më duhet avokati. Dhe nuk mbajë asnjë përgjegjësi të vetme me këtë që akuzohem as të veprimit e as mosveprimit. Detyra ime ka qenë publike, zëdhënës i UÇK-së”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se ndaj tij është bërë pa të drejtë. “Jam këtu pa të drejtë, ndaj meje është bërë padrejtësi e madhe”, tha Krasniqi.

Krasniqi është arrestuar më 4 nëntor nga hetuesit e Speciales, pas dhjetë orësh bastisje që kanë bërë në shtëpinë e tij, transmeton Telegrafi.

Përveç Krasniqit, Specialja javën e kaluar ka konfirmuar aktakuzat edhe për tre ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimin.

Në aktakuzën e konfirmuar për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Gjatë kësaj jave, para gjykatësve në Hagë do të paraqiten edhe ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Përfundimi i regjistrimit të popullsisë, sa do të jetë numri i banorëve në Kosovë?

Përfundimi i regjistrimit të popullsisë, sa do të jetë numri i banorëve në Kosovë?

Lajme
Një i vrarë dhe dy të plagosur në Shkup

Një i vrarë dhe dy të plagosur në Shkup

Kronikë e Zezë
KFOR-i e mohon, por kush negocioi largimin e Raodiçiqit me terroristët e tjerë nga Banjska?

KFOR-i e mohon, por kush negocioi largimin e Raodiçiqit me terroristët e tjerë nga Banjska?

Lajme
Policia dënon me 200 euro shoferin që voziti veturën me skadim të regjistruar dhe ia sekuestron mjetin përkohësisht

Policia dënon me 200 euro shoferin që voziti veturën me skadim të regjistruar dhe ia sekuestron mjetin përkohësisht

Lajme
Turistët nga Kosova braktisin Durrësin pas liberalizimit të vizave

Turistët nga Kosova braktisin Durrësin pas liberalizimit të vizave

Lajme
KFOR-i mohon se ndërmjetësuan për largimin e paramilitarëve serbë nga Banjska

KFOR-i mohon se ndërmjetësuan për largimin e paramilitarëve serbë nga Banjska

Siguri
Kalo në kategori