LAJMI I FUNDIT:

Të dy në spital, pensionisti britanik refuzoi maskën e oksigjenit pasi gruaja e tij vdiq nga coronavirusi

Të dy në spital, pensionisti britanik refuzoi maskën e oksigjenit pasi gruaja e tij vdiq nga coronavirusi

Një pensionist që vuante nga coronavirusi refuzoi trajtimin e shpëtimit të jetës pasi gruaja e tij prej 63 vjetësh vdiq nga sëmundja.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Bill Dartnall, 90 vjeç, nuk pranoi të vendoste maskën e oksigjenit, pasi mësoi për vdekjen e partneres së tij, Mary, 81 vjeçe, e cila kishte dalë gjithashtu pozitiv për Covid-19.


Çifti, nga Southampton, ishin bashkë që nga vitet 1950 dhe vdiqën në të njëjtën ditë, vetëm pesë orë dallim prej njëri-tjetrit.

Pasi u sëmur javën e kaluar, zonja Dartnall u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm në Southampton, ku ajo u diagnostikua me virusin.

Disa ditë më vonë burri i saj pësoi një goditje në tru dhe u pranua në të njëjtin spital, ku edhe ai u zbulua se ishte me coronavirus.

Dy vajzat e çiftit, Rosemary dhe Ann, thanë që babai i tyre “nuk do të dëshironte të jetonte pa nënën”, duke përshkruar vdekjen e tyre si një ‘tragjedi të dyfishtë’.

Rosemary i tha Daily Echo: “Kur iu tha që mamaja kishte ndërruar jetë, ai u përpoq të tërhiqte maskën nga fytyra dhe e bëri të qartë se nuk donte më oksigjen. Babi nuk pranoi më të vendoste maskën – ne nuk e dimë pse saktësisht por ai nuk donte të vazhdonte ta mbante”.

“Ai vazhdoi ashtu dhe vdiq paqësisht në gjumë disa orë më vonë. Babai me siguri nuk do të kishte dashur të jetonte pa nënën. Ata ishin shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe është e vështirë të imagjinohet jeta e tyre pa njëri-tjetrin”.

Ndryshe numri i vdekjeve nga coronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 26,000 pasi qeveria përfshiu numrat e shtëpive të kujdesit në azhurnimin e përditshëm.

Por prapa statistikave janë edhe histori tjera prekëse se si virusi ka shkatërruar familjet ose ka marrë jetën e çifteve vetëm disa orë larg njëri-tjetrit.

Javën e kaluar, motrat binjake që kishin punuar secila infermiere vdiqën brenda tre ditësh nga njëra-tjetra pasi të dy dolën pozitivë në testet për Covid-19.

Në një rast tjetër tragjik, një burrë dhe grua që i kushtuan jetën e tyre për t’u kujdesur për të tjerët vdiqën brenda 11 ditësh nga njëri-tjetri nga coronavirusi. /Telegrafi/