LAJMI I FUNDIT:

Takimi Hoxha-Stalin: Amerikanët dhe anglezët nuk do të lejojnë cenimin e pavarësisë së Shqipërisë!

Takimi Hoxha-Stalin: Amerikanët dhe anglezët nuk do të lejojnë cenimin e pavarësisë së Shqipërisë!

Cili ishte dimensioni historik i takimit të Enver Hoxhës me Josif Stalinit më 1949? Çfarë refleksionesh pati vizita e Hoxhës në Moskë për karrierën e tij dhe për kursin e ri të politikës së jashtme shqiptare? Çfarë i sugjeronte Stalini Hoxhës? Çka thotë Stalini për Aleksandar Rankoviqin? Cili ishte vizioni i Stalinit për ekonominë dhe për ushtrinë shqiptare? Telegrafi më poshtë risjell punimin e historianit Agim Zogaj, të publikuar më 2002 në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”.

Shoku Stalin vëren që shqiptarët po krijojnë kolkoze (kooperativat bujqësore të modelit rus – v.j.). Hoxha përgjigjet se në kongres është marrë vendimi që të fillohet nga krijimi i kolkozeve, por që të mos nxitohet me këtë punë. Shoku Stalin thotë se shokët shqiptarë nuk duhet të nxitojnë me këtë, sepse Shqipëria është një vend i prapambetur, malor dhe madje edhe në BRSS në rrethet malore nuk ka kolkoze. Prandaj, në Shqipëri nuk duhen krijuar kolkoze. Po qe se fshatarët s’kanë plehra, kafshë dhe makina shteti mund t’u vijë në ndihmë. Për këtë duhet që shteti të ketë pikat e veta të makinave dhe të traktorëve, në mënyrë që nëse fshatarët duan të marrin ndihmë me makina, shteti t’u lërojë tokën fshatarëve.

Për këtë ndihmë, shteti duhet t’u marrë fshatarëve njëfarë pagese në natyrë. Se si do ta ndajnë fshatarët midis tyre drithin dhe misrin, kjo s’i takon shtetit. Shteti do të marrë pagë në natyrë. Shteti duhet të ketë një ekonomi të veten me traktorë, makina shirëse dhe të tjera makina për të ndihmuar fshatarët, po qe se ata kërkojnë ndihmë. Këto s’janë kolkoze, por në të njëjtën kohë kjo do t’u japë mundësi fshatarëve që t’i kthejnë sytë nga teknika dhe të vlerësojnë rëndësinë e saj. Në kohën e vet kjo te ne quhej pikë makinash dhe traktorësh. Fshatarëve u jepeshin me qira makinat, të cilat pastaj i ktheheshin përsëri shtetit. E njëjta gjë duhet bërë edhe në Shqipëri. Përsa i përket shpërndarjes së të korrave, ata fshatarë që kanë më shumë tokë do të marrin më shumë, kurse ata që kanë më pak tokë, do të marrin më pak. Kjo s’do të thotë luftë me kulakërinë, por ama kjo do t’i mësojë fshatarët pak të kamur të veprojnë bashkërisht.

INTELEKTUALËT ANTIKOMUNISTË DHE BORGJEZËT SHQIPTARË?!

Shoku Stalin pyet nëse brenda Shqipërisë ka borgjezi tregtare kombëtare. Hoxha përgjigjet se në Shqipëri ka borgjezi tregtare, por ajo s’ka as fabrika, as dyqane, as shtëpi. Të gjitha këto janë marrë. Shoku Stalin thotë se kjo s’është gjë e mirë. Borgjezia kombëtare do të mund të ndihmonte për të prodhuar disa mallra dhe për të bërë njëfarë tregtie, derisa të forcohet shteti, sidomos nëse ndërmjet kësaj borgjezie tregtare kombëtare ka elementë, të cilëve u dhimbset liria dhe pavarësia e Shqipërisë. Të tillë elementë patriotikë, ndërmjet borgjezisë, duhen shfrytëzuar dhe jo larguar.

Shoku Stalin thotë se ai mund të sjellë një shembull nga praktika që ekziston në Kinën veriore. Ndërmjet borgjezisë kombëtare kineze, ndërmjet fabrikantëve të vegjël e të mesëm dhe ndërmjet tregtarëve, ka të tillë që i mbështesin komunistët. Ne i këshilluam shokët kinezë që të mos i largojnë këta elementë. Kjo pjesë kombëtare patriotike e borgjezisë mendon se vetëm komunistët mund të mbrojnë pavarësinë dhe lirinë e Kinës dhe se të gjitha partitë e tjera kanë falimentuar. Prandaj, ajo po vendos kontakte me komunistët. Kjo pjesë e borgjezisë kombëtare është shkëputur nga Çan Kai Sheku, sepse e pa që partia e Çan Kai Sheku nuk është i aftë që ta mbrojë një Kinë të bashkuar e të pavarur. Dhe, borgjezia me të vërtetë i ndihmon komunistët.

Siç dihet, Kina është e ndarë në pjesën veriore dhe jugore. Disa shoqëri tregtare në veri të Kinës i furnizojnë komunistët kinezë me mallra nga jugu, duke përfshirë bile edhe mallrat amerikane. Pyetjes se përse e bëjnë ata një gjë të tillë dhe përse sakrifikojnë paratë e veta, ata i përgjigjen që nuk shohin, përveç komunistëve, askënd që mund ta mbrojë pavarësinë e Kinës kundrejt Japonisë dhe Amerikës. Lenini kurdoherë mendonte se po qe se revolucioni ka karakter antiimperialist, në mbrojtjen e pavarësisë së vendit që është i kërcënuar, komunistët mund të kenë njëfarë bashkëpunimi me borgjezinë kombëtare. Ky bashkëpunim është i lejueshëm në një etapë të caktuar në periudhën e parë. Këtë vërejtje të Leninit duhet ta mbajnë mend shokët shqiptarë.

Në vendet e demokracisë popullore borgjezia, kombëtare është skandalizuar me lidhjet e veta me pushtuesit gjermanë dhe italianë. Prandaj, kur trupat ruse hynë në këto vende, borgjezia iku me gjermanët. Në territorin e Shqipërisë s’ka pasur as trupa jugosllave, as trupa sovjetike. Prandaj, dikush nga borgjezia kombëtare ka mbetur, nëse shokët shqiptarë nuk i kanë masakruar të gjithë. Të largosh nga vetja një borgjezi që është për pavarësinë kombëtare të vendit dhe mund të ndihmojë, është një gjë që s’duhet bërë.

PLANIFIKIMI I EKONOMISË!

Kjo ka të bëjë edhe me disa elementë të inteligencies, që nuk i simpatizojnë komunistët, por e shohin që pavarësinë e vendit mund ta mbrojnë vetëm komunistët. Prandaj, këta njerëz të inteligjencës, edhe pse nuk i simpatizojnë komunistët, mund t’u japin atyre njëfarë ndihme. Bolshevikët rusë nuk kanë ndjekur një politikë të tillë. Rusinë në çastin e revolucionit askush s’e pat pushtuar dhe askush s’e kërcënonte, po të mos llogaritim luftën me Gjermaninë. Prandaj, revolucioni rus nuk kishte karakter antiimperialist. Tehu i tij qe drejtuar brenda vendit. Prandaj, ka ndryshim midis asaj që ndodhte në Rusi dhe asaj që ndodh në Kinë, në Kore dhe në vende të tjera. Përderisa në Rusi s’kishte kërcënim të drejtpërdrejtë nga jashtë, borgjezia kombëtare ruse ishte armiku i papajtueshëm i revolucionit. Lufta me të zgjati disa vjet. Borgjezia ruse nuk ishte patriote. Ajo thërriste në ndihmë francezët dhe anglezët, i bënte thirrje intervencionit.

Shokët shqiptarë, në politikën e tyre, nuk duhet të kopjojnë atë që ndodhi në Rusi ose në vende të tjera. Ata duhet të mbajnë parasysh veçoritë e vendit. Po qe se në Shqipëri do të gjenden kapitalistë të vegjël që do të çelin ndërmarrje, dyqane apo punishte të vogla, atyre u duhen dhënë patenta, t’u vihen taksa, por t’u jepet mundësi të merren me veprimtari tregtare dhe industriale, derisa të forcohet ekonomia e Shqipërisë. Dhe kur të dodhë kjo, atëhere do të krijohet një tjetër situatë dhe mund të shtrohet rishtaz çështja e borgjezisë.

Shoku Stalin pyet sa veta kanë ardhur në përbërje të delegacionit shqiptar. Hoxha përgjigjet se në delegacionin shqiptar ka 8 veta. Shoku Stalin kërkon që të përmenden anëtarët e delegacionit, duke treguar postet që ata mbajnë. Hoxha përgjigjet thotë se delegacioni qeveritar shqiptar përbëhet nga: ai, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Spiro Koleka, zëvendëskryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Koço Theodhosi, zëvendësministri i tregtisë, Vasil Kati, zëvendësministri i industrisë, Xhafer Spahiu, zëvendësministri i punëve botërore, Shinazi Dragoti, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Nexhip Vinçani. Përveç këtyre, në përbërje të delegacionit është përfshirë edhe përfaqësuesi tregtarë i Shqipërisë në Moskë, Theohar Fundo. Hoxha shton se qeveria shqiptare cakton Koço Theodhosin si përfaqësues të saj në Këshillin e Ndihmës Ekonomike Reciproke.

PREMTIMET SOVJETIKE PËR NDIHMA!

Shoku Stalin pyet se kush është komandant i përgjithshëm i ushtrisë shqiptare. Hoxha përgjigjet se komandant i përgjithshëm është ai vetë. Shoku Stalin thotë se sovjetikët, bolshevikët, kanë një parim të tillë në ndërtimin e organeve udhëheqëse të shtetit: nëse në vend predominojnë myslimanët, në qeveri shumica duhet t’u përkasë po ashtu myslimanëve. Popullit s’duhet t’i dhunohet feja. Populli s’ka për ta kuptuar pse në krye të qeverisë qëndrojnë jo myslimanët, në një kohë kur në vend shumica janë myslimanë. Këto janë gjëra elementare, por në Jugosllavi s’e kanë kuptuar këtë. Natyrisht, kjo s’do të thotë që në qeveri duhet të jenë vetëm myslimanët, duhen zgjedhur njerëz të aftë nga pakicat kombëtare për të ruajtur unitetin e popullit. Pjesëmarrja në qeveri e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe fetare do t’i sigurojë stabilitet vendit.

Shoku Stalin pyet nëse i kanë marrë shqiptarët nga BRSS-ja pajisjet për ushtrinë. Hoxha përgjigjet se ato nuk kanë arritur, por se, siç ka dëgjuar, janë në rrugë.

Hoxha kërkon leje që të kalojë në problemet ekonomike dhe thotë se në Shqipëri është hartuar një plan dyvjeçar i rimëkëmbjes së ekonomisë popullore të vendit. Ky plan parashikon, së pari, krijimin e ndërmarrjeve të reja industriale për prodhimin dhe përpunimin e tekstit, pambukut, sheqerit, pyjeve për lëndë ndërtimi e të mallrave të tjera për nevojat e Shqipërisë. Së dyti, në plan i kushtohet vëmendje forcimit të punimeve në fushën e kërkimeve gjeologjike dhe zgjerimit të nxjerrjes së mineraleve. Parashikohet gjithashtu që të ndërtohet naftësjellësi Patos-Vlorë dhe një uzinë për përpunimin e naftës me kapacitet 150 mijë tonë në vit. Plani parashikon përpunimin dhe zbulimin e mineraleve, si: bakri, kromi, bitumi. Sipas planit, duhet të ndërtohet një central elektrik për të siguruar me energji kombinatin e tekstileve. Lidhur me transportin, plani parashikon forcimin e transportit automobilistik dhe vazhdimin e ndërtimit të hekurudhës Durrës-Elbasan. Për sa i përket bujqësisë, sipas planit, mendohet të shtohet sipërfaqja e tokave nën ujë, me anën e përdorimit të agroteknikës së re. Plani nuk parashikon shtimin e prodhimit të makinave bujqësore, pasi për vendin mjaftojnë ata traktorë që ai ka marrë nga Bashkimi Sovjetik.

PËRGATITJA E KUADROVE SHQIPTARE NË BRSS!

Shoku Stalin pyet çfarë hekurudhe mendohet të ndërtohet. Hoxha përgjigjet se në Shqipëri është duke u ndërtuar hekurudha Durrës-Elbasan. Vitin e kaluar u ndërtua pjesa e parë e kësaj rruge, Durrës-Peqin, me një gjatësi prej 37 km. Plani dyvjeçar parashikon ndërtimin e sektorit nga Peqini në Elbasan, me gjatësi 30 km. Shoku Stalin pyet nëse shqiptarët kanë marrë shina nga BRSS. Hoxha thotë po dhe shton se plani dyvjeçar parashikon gjithashtu zgjerimin e rrjetit të shkollave dhe shtimin e numrit të shtretërve në spitale. Për realizimin e planit Shqipëria shpreson në ndihmën e BRSS-së me makineri e pajisje. Nga ana tjetër, Shqipëria ka përfunduar edhe marrëveshjen tregtare me vendet e demokracisë popullore dhe ka marrë kredi nga Çekosllovakia, Hungaria dhe Polonia. Tashti një delegacion shqiptar është duke zhvilluar bisedime me Rumaninë dhe pastaj do të niset për në Bullgari.

Shoku Stalin përgjigjet se ne do të japim ndihmë aq sa do të jetë e mundshme. Duke bërë shaka, shoku Stalin thotë që ne shpresojmë se vetë shqiptarët gjithashtu do të punojnë.

Hoxha thotë se shqiptarët do të vënë të gjitha forcat për realizimin e planit.

Hoxha deklaron se Shqipëria dëshiron të bëjë edhe një kërkesë për dërgimin e specialistëve sovjetikë, ndër të tjera, për të ndihmuar në ndëritmin e kombinatit të tekstileve dhe atij të sheqerit. Shoku Stalin përgjigjet se ne njerëz do të dërgojmë, por që Shqipëria duhen përgatitur kuadrot e veta. Njerëzit tanë do të qëndrojnë në Shqipëri përkohësisht, pastaj do të kthehen në Bashkimin Sovjetik. Shqipëria duhet të ketë kuadrot e veta të përherëshme kombëtare, kjo është gjëja më e rëndësishme. Hoxha thotë se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që të shkojë në këtë rrugë. Hoxha deklaron se qeveria shqiptare drejton një kërkesë për të dërguar në Shqipëri një grup për të studiuar burimet elektroenergjetike të Shqipërisë. Shoku Stalin përgjigjet se kjo mund të bëhet. Shoku Stalin pyet nëse ka në Shqipëri qymyr. Hoxha përgjigjet që qymyr në Shqipëri ka pak, disa shtresa të tij ndodhen në rrethet e Tiranës dhe të Korçës. Përveç kësaj, italianët kanë zbuluar vendburime qymyri më në jug të Shqipërisë. Shoku Stalin pyet me se punojnë hekurudhat, me qymyr apo me naftë. Hoxha përgjigjet që hekurudhat punojnë me qymyr, por qymyri në Shqipëri nuk është i mirë.

KODET SEKRETE DHE DESHIFRIMI I TELEGRAMEVE SHQIPTARE NGA JUGOSLLAVËT!

Hoxha thotë që tashti për Shqipërinë një problem të madh përbën organizimi i udhëheqjes së organeve të sigurimit të shtetit. Lidhur me këtë, qeveria shqiptare lutet të lejohet të dërgojë në BRSS 20 oficerë në kurse speciale. Pasi të kenë kryer kursin këta oficerë, qeveria shqiptare do të dëshironte të dërgonte edhe 20 të tjerë. Po qe se kjo është e pamundshme, qeveria shqiptare lutet të dërgohen në Shqipëri disa instruktorë sovjetikë, të cilët do të mund të organizonin, kurse të tilla në Shqipëri. Shoku Stalin përgjigjet që oficerëve që do të vinë në BRSS në kurse speciale duhet në fillim të mësojnë gjuhën ruse dhe pastaj të merren me punën. Prandaj, efekti do të jetë më i shpejtë, po qe se do të dërgojmë në Shqipëri instruktorë. Hoxha thotë se Shqipëria ka nevojë gjithashtu për dy instruktorë për Ministrinë e Punëve të Brendshme; një instruktor për policinë dhe tjetri për ndjekje penale. Shoku Stalin thotë se instruktorë të tillë mund të dërgohen. Hoxha pyet nëse qeveria shqiptare mund të marrë në BRSS materiale të shkruara mbi punën dhe organizimin e organeve të policisë. Shoku Stalin thotë po.

Hoxha thotë se do të dëshironte që të prekë edhe një çështje shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Puna është që shifrat shqiptare janë hartuar në bazë të kodit jugosllav. Prandaj, jugosllavët kanë mundësi të deshifrojnë të gjitha telegramet shqiptare. Qeveria shqiptare lutet të dërgohet një instruktor sovjetik, i cili mund të ndihmojë Ministrinë e Punëve të Brendshme për hartimin e një shifre të re. Shoku Stalin interesohet nëse duhet një instruktor i tillë për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Shoku Stalin pyet nëse MPJ e Shqipërisë përdor shifra. Hoxha përgjigjet se MPJ e Shqipërisë përdor shifra, por kjo shifër ruhet pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Hoxha thotë se qeveria shqiptare lutet gjithashtu që të dërgohen dy impiante radiopelengatore me pajisjet dhe teknikët e duhur. Hoxha shton se organet e sigurimit të shtetit të Shqipërisë kanë konstatuar se në Shqipëri ka disa radiotransmetues të fshehtë, njëri prej të cilëve është vendosur diku në zonën e qytetit të Shkodrës.

Shoku Stalin përgjigjet që impiante radiopelengatore mund të dërgojmë. Shoku Stalin thotë se shoku Vishinskij do të jetë drejtues për përgatitjen e përgjigjeve delegacionit qeveritar shqiptar dhe se ai do t’i shqyrtojë të gjitha kërkesat. Hoxha mund t’i parashtrojë shokut Vishinskij të gjitha çështjet që i interesojnë qeverisë shqiptare. Shoku Stalin përsërit që ne do ta ndihmojmë Shqipërinë.

SHQIPTARËT DHE GREKËT!

Hoxha thotë se do të donte të prekte çështjen jugosllave. Marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë janë ndërprerë. Shoku Stalin pyet nga kush janë ndërprerë këto marrëdhënie. Hoxha thotë se këto marrëdhënie janë ndërprerë nga Shqipëria, sepse jugosllavët po zhvillojnë një propagandë të sforcuar kundër Shqipërisë, si nga territori i vetë Jugosllavisë, ashtu edhe brenda Shqipërisë, duke krijuar rrjetin e vet agjenturial. Jugosllavët bëjnë një propagandë intensive në kufijtë veriorë të Shqipërisë, duke u përpjekur të nxitin qytetarët shqiptarë që të arratisen nga Shqipëria në Jugosllavi. Kjo propagandë ka pasur sukses dhe një numër mjaft i madh fshatarësh është arratisur në Jugosllavi nga Shqipëria veriore. Jugosllavët përpiqen të marrin në duart e veta udhëheqjen e bandave që po bëjnë kërdi në rrethet veriore të Shqipërisë. Udhëheqësit jugosllavë përpiqen të bashkojnë dhe të organizojnë elementet reaksionarë brenda Shqipërisë, në mënyrë që me ndihmën e tyre të përmbysin regjimin ekzistues në Shqipëri. Kohë më parë, u zbulua një bandë e drejtuar nga misioni jugosllav dhe më 21 mars banditët dolën para gjyqit shqiptar.

Shoku Stalin pyet nëse ka në Shqipëri ambasador jugosllav dhe nëse janë ruajtur marrëdhëniet diplomatike. Hoxha përgjigjet pozitivisht. Shoku Stalin thotë se shqiptarët po ashtu nuk rrinë duarlidhur. Ata zhvillojnë veprimtarinë e vet kundër trockistëve jugosllavë dhe mbajnë kontakt me pakicën shqiptare që jeton në Jugosllavi. Përveç kësaj, shqiptarët kanë organizuar emigracionin e jugosllavëve, ndonëse ndaj jugosllavëve që vijnë në Shqipëri duhet të mbajmë një qëndrim shumë të kujdesshëm, pasi midis tyre ka njerëz të Rankoviqit.

Shoku Stalin vëren që Rankoviqi po i përhap agjentët e tij. Hoxha thotë se klika e Titos do të asgjësohet si rezultat i luftës politike që do të kthehet në një lëvizje partizane të armatosur. Shoku Stalin thotë se kjo nuk përjashtohet.

Hoxha, duke kaluar në çështjen greke, thotë se shokët shqiptarë do të donin të dinin mendimin e shokut Stalin nëse Shqipërinë e rrezikon një sulm i drejtpërdrejtë nga ana e Greqisë, duke pasur parasysh provokacionet e përhershme të trupave monarkofashiste dhe komplotet për ndarjen e Shqipërisë. Shoku Stalin thotë se llafet lidhur me copëtimin e Shqipërisë janë sajuar për të frikësuar shqiptarët. Siç dihet, pavarësia e Shqipërisë është siguruar me deklaratën e tri fuqive: Amerikës, Anglisë dhe BRSS-së. Natyrisht, deklarata mund të shkelet, por kjo s’është aq e lehtë. Përsa u përket grekëve të Caldarisit, ata mezi qëndrojnë në këmbë që të flasin seriozisht për copëtimin e Shqipërisë. Nëse shqiptarët do të mbajnë qëndrim të drejtë, nuk do t’i shajnë shumë imperialistët, Shqipërinë askush s’ka për ta prekur. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’i përkasë Italisë, Greqisë apo Jugosllavisë. Amerika madje nuk do që Shqipëria t’i përkasë Anglisë. Prandaj, janë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. /Telegrafi/

  • Biseda zgjati 2 orë e 10 minuta.
  • Shënimet i mbajti V. Erofejev.
  • AP RF. F. 45. Op. 1. D. 249. L. 55-74.
  • Kopja e vërtetuar