LAJMI I FUNDIT:

Supremja refuzon ankesën e VV-së, KQZ certifikon sot rezultatet e zgjedhjeve

Supremja refuzon ankesën e VV-së, KQZ certifikon sot rezultatet e zgjedhjeve

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ishte ankuar lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të mos urdhëruar KQZ-në për numërimin edhe të 392 pakove të ardhura me vonesë nga diaspora.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.


“Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka kërkuar verifikimin dhe numërimin e 392 pako të fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës”, ka deklaruar Uka-Lutfiu.

Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Telegrafin se KQZ në ora 16:00 do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Sot, më 27 nëntor në orën 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 6 tetor 2019”, ka thënë Elezi. /Telegrafi/