LAJMI I FUNDIT:

Supremja konstaton se janë shkelur dispozitat e procedurës penale ndaj dy personave që po gjykohen për marrje ryshfeti në Pejë

Supremja konstaton se janë shkelur dispozitat e procedurës penale ndaj dy personave që po gjykohen për marrje ryshfeti në Pejë
Foto: Arkiv

Gjykata Supreme, ka konstatuar shkelje në favor të të pandehurve G.G. dhe B.Th., të dy nga Peja për shkak të veprës penale në bashkëkryerje, marrja e ryshfetit dhe të pandehurit M.K. nga P., për shkak të veprës penale frikësim gjatë procedurës penale.

Kolegji i Supremes aprovoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Prokurori i Shtetit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.


Siç njofton Supremja, është konstatuar se me aktgjykimet e instancave më të ulëta janë shkelur dispozitat e procedurës penale nga neni 384 par.1 nënpar.1.12 të KPPK, dhe Ligjit Penal në dobi të të pandehurve G.G dhe B.Th.

Gjykata Supreme ka konstatuar shkeljen nga ana e të dy gjykatave, mirëpo nuk ka aprovuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit që aktgjykimet të anulohen dhe çështja të kthehet në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë, meqenëse konform nenit 438 par.1 nënpar.1.3 dhe par.2 të KPPK, Gjykata Supreme kufizohet vetëm në vërtetimin e shkeljes së ligjit, kur kjo është bërë në dobi të të pandehurit.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, të pandehurit G.G dhe B.Th., me datë 2 dhjetor të vitit 2019, rreth orës 15:25, në Pejë, si persona zyrtar, Teknik për kontrollin e humbjeve në kompaninë “KEDS”, dega në Pejë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, duke mos vepruar sipas detyrave zyrtare, me qëllim të përfitimit, të njëjtit në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej dyqind (200) euro nga i dëmtuari, të pandehurit pasi i marrin të hollat ndalohen dhe arrestohen nga Policia e Kosovës.

Kurse, i pandehuri M.K., me datë 3 dhjetor të vitit 2019, si avokat i të pandehurit B.Th., kishte kanosur dhe ofruar dhurata me qellim që ta nxisë të dëmtuarin që i njëjti t’a ndryshojë deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës dhe të deklarohet rrejshëm në Prokurori dhe Gjykatë, kinse i pandehuri B.TH nuk ka të bëjë me veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Gjykata kishte vendosur për dy të pandehurit, G.G dhe B.TH., ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, kurse për të pandehurin M.K., ndalimin e ushtrimit të profesionit./Telegrafi/