Sunny Hill Festival emëron Fever partnerin zyrtar ndërkombëtar për shitjen e biletave në edicionin 2026

Sunny Hill Festival, festivali më i madh i muzikës në Kosovë dhe një nga ngjarjet kryesore muzikore në Evropën Juglindore, ka njoftuar një partneritet ekskluziv me platformën globale Fever, e cila do të jetë partneri zyrtar ndërkombëtar për shitjen e biletave për edicionin e vitit 2026.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Fever – platforma lider në zbulimin e përvojave dhe argëtimit live, e cila gjatë vitit të kaluar arriti mbi 300 milionë përdorues në më shumë se 40 shtete – do të shërbejë si porta kryesore ndërkombëtare për rezervimin e biletave nga publiku jashtë Kosovës.
Platforma do të përdorë teknologjinë dhe rrjetin e saj global të marketingut për të mbështetur zgjerimin ndërkombëtar të festivalit. Gjithashtu, Sunny Hill do të jetë i listuar edhe në DICE, platformën e biletave që Fever e bleu në vitin 2025, duke e bërë festivalin edhe më të lehtë për t'u zbuluar dhe rezervuar nga fansat në mbarë botën.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të lehtësojë udhëtimin e vizitorëve ndërkombëtarë, të nxisë shkëmbimin kulturor dhe të forcojë ndikimin ekonomik të festivalit në turizmin e Kosovës.
Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026 në Sunny Hill Festival Park në Prishtinë.
Në mesin e emrave të konfirmuar për këtë vit janë Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Dhurata Dora, Ledri Vula, Blanco, Adam Port dhe Rampa nga Keinemusik, PAWSA, Seth Troxler, Carlita, MC Kresha & Manifest, si dhe shumë artistë të tjerë.
Festivali u themelua në vitin 2018 nga Dukagjin "Dugi" Lipa, ndërsa promovimi i tij ndërkombëtar udhëhiqet nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.
Themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, tha se Sunny Hill ka qenë gjithmonë më shumë sesa një festival muzikor.
"Sunny Hill ka qenë gjithmonë më shumë se muzikë. Për disa ditë çdo verë, ne e sjellim botën në Kosovë dhe i gjithë vendi e ndien këtë. Vëmendja që festivali i sjell Kosovës është një promovim që asnjë fushatë turistike nuk do të mund ta blinte ndonjëherë. Vlera që krijohet mbetet këtu – në ekonominë e vizitorëve, në sektorin kulturor dhe në mundësitë që u hapen të rinjve. Me shtrirjen globale dhe teknologjinë e Fever, do të jetë edhe më e lehtë që fansat nga e gjithë bota të zbulojnë Sunny Hill-in, të sigurojnë biletat dhe të udhëtojnë drejt Prishtinës".

Edhe Mariano Otero, nënkryetar i lartë i Fever, e cilësoi Sunny Hill-in si një festival që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
"Sunny Hill është një nga ato ngjarje të rralla ku një festival i madh shndërrohet në motor zhvillimi për një vend të tërë. Roli ynë është ta bëjmë sa më të lehtë që njerëzit nga çdo cep i botës ta zbulojnë festivalin, të blejnë biletat dhe të vizitojnë Prishtinën, në mënyrë që gjithnjë e më shumë vlera të mbetet në Kosovë".
Sipas Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, edicioni i vitit 2025 gjeneroi rreth 22 milionë euro ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, duke përfituar sektorët e hotelerisë, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe bizneset lokale.
Në të njëjtin vit, Sunny Hill u nderua edhe me Çmimin për Ndikim Ekonomik 2025 nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Organizatorët theksojnë se, nëse llogaritet i gjithë ndikimi i vizitorëve – përfshirë shpenzimet e diasporës dhe të turistëve që qëndrojnë disa ditë në Kosovë – efekti ekonomik arrin afërsisht 50 milionë euro për çdo edicion.
Gjatë festivalit të vitit 2025, hotelet në Prishtinë shënuan 99 deri në 100 për qind të kapaciteteve të mbushura, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës niveli i zënies ishte rreth 96 për qind.

Sipas organizatorëve, Sunny Hill është krijuar me synimin për ta vendosur Kosovën në hartën globale kulturore, duke sjellë artistë ndërkombëtarë dhe duke promovuar vendin përmes muzikës, kreativitetit dhe mikpritjes.
Në vitin 2025, presidentja Vjosa Osmani ia dorëzoi shtetësinë e Kosovës Dua Lipës gjatë festivalit, një moment që u raportua nga media prestigjioze ndërkombëtare.
Çdo edicion gjeneron mijëra artikuj në më shumë se 6 mijë media në mbarë botën dhe miliarda shikime mediatike, ndërsa në terren akreditohen mbi 150 gazetarë. Festivali është pasqyruar nga media si BBC, The Guardian, The New York Times, Vogue, Rolling Stone, Billboard, NME, MTV Europe, Cosmopolitan Italy dhe Fox News.
Sunny Hill Festival vepron në mbështetje të Sunny Hill Foundation, e cila financon projekte në fushën e artit, kulturës dhe arsimit në Kosovë, përfshirë bursa STEM për vajza dhe programe që lidhin artistët e rinj kosovarë me profesionistë ndërkombëtarë.
Po ashtu, organizatorët kanë nisur një investim prej 7 milionë eurosh për transformimin e zonës së festivalit në një park publik, që do të mbetet një trashëgimi afatgjatë për qytetarët, përveç organizimit të festivalit çdo vit. /Telegrafi/













































