LAJMI I FUNDIT:

Sulmet në Bruksel, reagon BFI-ja

Sulmet në Bruksel, reagon BFI-ja

Dje, mbarë bota u trondit nga aktet terroriste që u kryen mu në zemër të Evropës, fatkeqësisht, në emër të fesë islame. Terrorizmi, vrasja e njerëzve të pafajshëm, është akti më i papëlqyer, më i shëmtuar, më i papranueshëm dhe i mallkuar në islam. Prandaj, askujt nuk i lejohet të manipulojë e të veprojë në mënyrë kriminale në emër të islamit. Dita e djeshme, pa dyshim që do të shënojë një kthesë historike në bashkimin e të gjitha forcave të shteteve perëndimore që do t’i dalin përballë kësaj të keqe, duke e shpëtuar njerëzimin por, nga ana tjetër edhe islamin nga kjo etiketë terroriste e papranueshme dhe e mallkuar, njofton Alsat M.

“Bashkësia Fetare Islame në RM, duke shprehur dhembje të thellë për të gjitha viktimat e terrorizmit, për të plagosurit e të dëmtuarit, përcjell ngushëllimet më të thella deri te udhëheqësit e shtetit të Belgjikës, deri te qytetarët e këtij shteti si dhe te familjarët e viktimave. Të plagosurve u dëshiron shërim sa më të shpejtë. Njëkohësisht, shprehim dëshirën dhe gatishmërinë tonë të përhershme që në përputhje me misionin tone fetar, të vihemi në krahun e forcave vendimtare për ta çrrënjosur njëherë e mirë terrorizmin në çdo cep të botës”. /Telegrafi/