LAJMI I FUNDIT:

Sulm me dron afër aeroportit ndërkombëtar të Erbilit në Irak, aty ndodhen edhe ushtarët amerikanë

Sulm me dron afër aeroportit ndërkombëtar të Erbilit në Irak, aty ndodhen edhe ushtarët amerikanë

Aeroporti Ndërkombëtar i Erbilit në Irakun verior është shënjestruar në një sulm me dron, thanë zyrtarët kurdë të sigurisë, i fundit në një seri incidentesh të ngjashme gjatë vitit të kaluar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shërbimi i sigurisë së brendshme për rajonin autonom kurd të Irakut, kryeqyteti i të cilit është Erbil, fillimisht tha se tre raketa kishin goditur pranë aeroportit.


Por një deklaratë e dytë e forcave kurde kundër terrorizmit tha se sulmi ishte kryer nga dronë të ngarkuar me eksploziv.

“Nuk ka viktima në sulmin e kryer nga dy dronë të armatosur”, thuhej në deklaratë.

Nuk ka raporte të menjëhershme për viktima por dëshmitarët thanë se dëgjuan të paktën gjashtë shpërthime në zonë.

Lawk Ghafuri, kreu i marrëdhënieve me mediat e huaja për Qeverinë Rajonale të Kurdistanit, tha në Twitter se forcat kurde të sigurisë po hetonin incidentin.

“Droni mbante pajisje shpërthyese dhe shpërtheu larg terminaleve dhe territoreve të Aeroportit Ndërkombëtar të Erbilit. Nuk raportohet për viktima”, tha Ghafuri.

Aeroporti, i cili shërben gjithashtu si bazë për forcat e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, nuk pësoi asnjë dëm, sipas drejtorit të tij Ahmed Hochiar.

Forcat amerikane po udhëheqin një koalicion ushtarak ndërkombëtar, mandati i të cilit është të ndihmojë forcat irakiane të luftojnë mbetjet e ISIL (ISIS).

Koalicioni nuk komentoi menjëherë incidentin e së shtunës.

Aeroporti në Erbil është sulmuar disa herë vitin e kaluar, përfshirë dronët që mbanin eksplozivë. /Telegrafi/