LAJMI I FUNDIT:

Sullivan: Paqja izraelito-palestineze mund të arrihet në një kohë të afërt

Sullivan: Paqja izraelito-palestineze mund të arrihet në një kohë të afërt

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan thotë se mund të arrihet paqja midis izraelitëve dhe palestinezëve, së bashku me një zgjerim të Marrëveshjes së Abrahamit, pavarësisht se po vazhdon lufta në Gaza.

“Nuk është jopraktike… Pjesët janë aty për t’u bashkuar dhe për të arritur këtë rezultat; dhe jo pas shumë viteve, por në një afat të afërt, nëse të gjithë ne bashkohemi dhe marrim vendime të mençura dhe të guximshme për të zgjedhur këtë drejtim”, tha ai gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.


Ushtarët izraelitë e shfrytëzojnë palestinezin si mburojë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor
Lexo po ashtu Ushtarët izraelitë e shfrytëzojnë palestinezin si mburojë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor

Sullivan thotë se po punon në mënyrë aktive për të avancuar integrimin e Izraelit në rajon si një mjet për të adresuar krizën në Gaza.

Kujtojmë se bisedat teknike midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite për një marrëveshje të mundshme normalizimi midis Jerusalemit dhe Riadit kanë vazhduar në mes të luftës Izrael-Hamas.

Tre zyrtarë i thanë The Times of Israel se ndërsa interesat më të gjera të vendeve të përfshira nuk kanë ndryshuar që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, çmimi i “komponentit të rëndësishëm palestinez” të marrëveshjes është rritur.

Duke shpjeguar qasjen e administratës së presidentit, Joe Biden para luftës, Sullivan thotë se SHBA-të mendonin se një raund tjetër negociatash të drejtpërdrejta midis izraelitëve dhe palestinezëve nuk kishte gjasa të ishin të suksesshme.

Kryeministri i Katarit, Al Thani: Gaza më nuk ekziston
Lexo po ashtu Kryeministri i Katarit, Al Thani: Gaza më nuk ekziston

“Ne përcaktuam se qasja më e mirë ishte të punonim drejt një pakete marrëveshjeje që përfshin normalizimin midis Izraelit dhe shteteve kryesore arabe së bashku me përparimin kuptimplotë dhe një horizont politik për popullin palestinez”, pohoi ai duke shtuar se “ky ishte qëllimi ynë përpara 7 tetorit dhe ishte përparimi ynë drejt këtij qëllimi që Hamasi u përpoq të shkatërronte më 7 tetor”.

Ndryshe, Arabia Saudite mund të njohë Izraelin nëse arrihet një marrëveshje e përmbledhur që përfshin njohjen e shtetësisë së Palestinës. /Telegrafi/