LAJMI I FUNDIT:

Subvencionimet e kanë rritur interesimin për bujqësi

Subvencionimet e kanë rritur interesimin për bujqësi

Komiteti për Zhvillim Ekonomik dhe Agrikulturë, është informuar të premten nga drejtori për Bujqësi, Ramiz Ramadani për mbledhjet vjeshtore, “Darkën e Lamës” si dhe gjendjen e pyjeve. Ramadani ka thënë se mbjelljet vjeshtore janë kryer në afatin e paraparë, falë përgatitjeve të duhura si dhe kushteve të mira atmosferike.

“Ne i kemi subvencionuar fermerët me farë gruri, me qëllim të përdorimit më të madh të farërave të certifikuara dhe rritjen e rendimenteve”, ka thënë Ramiz Ramadani, duke nënvizuar se sivjet, me grurë janë mbjellë rreth 3000 hektarë, ndërsa 80 hektarë me elb.


Këtë vit, Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari ka shpërndarë 140 mijë kg farë gruri. Nga 760 aplikues, kanë përfituar 730 fermerë, ndërsa 30 janë refuzuar për arsye se kanë aplikuar edhe në Ministrinë për Bujqësi. Fara që është shpërnda ka potencial të lartë gjenetik, deri në 11 tonë për hektarë, ka thënë Ramadani.
Por, sipas tij, për të plotësuar nevojat e veta me bukë, komuna e Gjilanit duhet të prodhojë rreth 18 mijë tonë grurë në vit. Kjo sasi është e nevojshme për të ushqyer 90.000 banorë.

Një aktivitet tjetër i kësaj drejtoria, ka qenë edhe “Darka e Lamës” si festë tradicionale e falënderimeve, ku prodhimet e tyre i kanë promovuar 22 agrobiznese të Gjilanit. “Për këtë aktivitet, ne kemi shpenzuar një buxhet simbolik prej 152 euro”, ka thënë Ramadani.

Hapjen e “Darkës së Lamës”, ku pos të tjerëve ishin të pranishëm edhe mysafirë nga disa regjione të Europës, e ka bërë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se kjo është simbolikë e një kulture të gjatë te shqiptarët, ndërsa si aktivitet vjetor ka nis të shënohet nga koha e Presidentit Ibrahim
Rugova, i cili ka qenë i interesuar të promovojë prodhimet dhe bereqetin e tokës dhe sofrës kosovare.
Në sektorin e pylltarisë, ku Komunat kanë kompetenca të kufizuara, Ramadani ka thënë se është punuar kryesisht në ndaljen e prerjeve ilegale të pyjeve. Gjatë kësaj periudhe kohore janë bërë 345 fletëparaqitje, prej të cilave 241 për kundërvajtje, 60 penale dhe 44 për transport. Në 30 raste janë konfiskuar dru në sasi 110.92 m3.

Po gjatë kësaj kohe, janë mbjellë dhjetë hektarë me pisha në fshatin Verbicë e Kmetocit, si nevojë për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura.
Jehona Hyseni, kryesuese e KZHEA ka thënë se “Darka e Lamës“ është një mundësi e mirë për prezantimin e prodhimeve vendore. Duke qenë se rendimentet varen nga suksesi i mbjelljeve, ajo u shpreh e bindur se edhe puna e mirë e kësaj vjeshte, do t`i jap rezultatet e veta verën e ardhshme.

Ndryshe, Ramadani është përgjigjur edhe në pyetjet e Bashkim Shalës, Fatmir Hoxhës, Agron Shurdhanit, Hevzi Xhelilit dhe të tjerëve, rreth mbjelljeve, subvencioneve dhe kritereve për ndarjen e tyre, pyjeve dhe mbrojtjes së tyre si çështje të tjera nga sektorët përkatës.
Shala është interesuar për varietetin kosovar të farës së grurit, duke sugjeruar që të fillojë sa më shpejt përdorimi i farës autoktone, e cila premton rendimente deri në 10 mijë kilogramë për hektar.

Ramadani ka thënë se nuk ka dyshim se subvencionet e kanë rritur numrin e bujqve. /Telegrafi/