LAJMI I FUNDIT:

Spitali i Vushtrrisë bëhet me repart të ri të Urologjisë

Spitali i Vushtrrisë bëhet me repart të ri të Urologjisë

Në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri sot është mbajtur ceremonia e inaugurimit të 5 dhomave shtesë me 15 shtretër më shumë për repartin e urologjisë dhe kirurgjisë, poashtu recepsion të ri, pra hapësirë e re me sipërfaqe prej 400 metra katrorë, donacion nga “Gjysmëhëna së Kuqe”.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha se investimet nuk do të ndalen për Vushtrrinë dhe qytetet tjera në Kosovë, për të bërë spitalet edhe më moderne dhe të qasshme për pacientët.


Ministri Ismaili, foli edhe për angazhimet që po bënë Ministria e Shëndetësisë që për qytetarët të ofrohen shërbime sa më cilësore dhe të krijohen kushte sa më të mira.

Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu tha se përmes këtyre investimeve po bëhet e mundur që shërbimet urologjike të ofrohen në këtë Spital dhe mos të drejtohen pacientët drejt QKUK-së, për të mbingarkuar atë.

Sipas tij, investimet në spitalet e përgjithshme do të vazhdojnë dhe përmes tyre do të mundësohet që qytetarët të marrin shërbimet shëndetësore në rajone prej nga vijnë dhe mos të kenë nevojë të drejtohen në QKUK.

Hamad Ben Abdennebi, drejtor i Gjysmëhënës së Kuqe zyra në Tiranë, ka folur për investimin e bërë në këtë spital duke premtuar se do të bëjnë edhe investime të tjera në shëndetësi për të ofruar shërbime sa më cilësore për pacientët.

Investimi nga Gjysmëhëna e Kuqe i bërë në këtë repart është në vlerë 300 mijë euro.