LAJMI I FUNDIT:

Spanja do t’i bëjë falas disa udhëtime me tren

Spanja do t’i bëjë falas disa udhëtime me tren

Çmimet e transportit publik në shërbimin shtetëror në të gjithë Spanjën tashmë janë ulur përgjysmë në një përgjigje të rritjes së shpejtë të inflacionit. Tani qeveria ka njoftuar për zbritje totale prej 100 për qind.

Që nga muaji shtator, pasagjerët do të mund të udhëtojnë nëpër trena të ndryshëm të operuar nga rrjeti publik i trenave, Renfe për absolutisht asgjë, raporton cnn.


Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka njoftuar se biletat shumë udhëtimeshe në trenat e shërbimet publike të rrjetit Cercanias, Rodalies dhe Media Distance (ekuivalente me udhëtimet lokale dhe të distancave të mesme) do të jenë pa pagesë nga 1 shtatori deri në fund të këtij viti.

Sipas transmetuesit publik TVE, masa përjashton biletat e një udhëtimi ose udhëtimet në distanca të gjata. Biletat me shumë udhëtime përfshijnë të paktën 10 udhëtime vajtje-ardhje.

“Kjo masë inkurajon maksimalisht përdorimin e këtij lloji të transportit publik kolektiv për të garantuar udhëtimin e nevojshëm ditor me një mjet transporti të sigurt, të besueshëm, komod, ekonomik dhe të qëndrueshëm”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë Spanjolle të Transportit.

Skema Renfe u njoftua menjëherë pasi qeveria spanjolle u angazhua për një ulje prej 50 për qind të tarifave të transportit publik për transportin shtetëror.

Spanja nuk është i vetmi vend evropian që ka marrë masa për të ulur kostot e transportit publik.

Muajin e kaluar, Gjermania promovoi një biletë mujore të pakufizuar të transportit publik prej 9 euro që mund të përdoret në transportin lokal dhe rajonal në të gjithë vendin. Marrëveshja, pjesë e një pakete të ndihmës energjetike të qeverisë, është planifikuar të zgjasë deri në fund të gushtit.

Në fund të vitit 2021, Austria prezantoi një “biletë klimatike” me zbritje të madhe, e vlefshme në të gjitha mënyrat e transportit publik në vend, me qëllimin për të inkurajuar njerëzit që të lënë veturat e tyre në shtëpi. /Telegrafi/