Solana: Bashkimi Evropian i hapur edhe për Kosovën

"Perspektiva evropiane për të gjitha vendet e rajonit është e hapur dhe ne duam të bashkëpunojmë në këtë drejtim”, tha Solana, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të punojnë shumë për demokraci, respektim të lirive dhe të drejtave të minoriteteve, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të gjitha ato që e përbëjnë një shoqëri moderne e cila jeton në shekullin e 21.
Solana po ashtu tha se Kosova tash duhet të ecën përpara në zhvillimin ekonomik, duke premtuar se BE-ja, përmes misionin evropian në terren, do të ndihmojë Kosovën ekonomikisht.
Ndërkaq presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, falënderoi shefin e diplomacisë evropiane për investimin e jashtëzakonshëm të tij dhe të gjithë BE-së për të arritur këtë ditë të rëndësishme për Kosovën, qytetarët e saj dhe perspektiven e vendit tonë.
"Mund të them se janë garancione të fuqishme për mbështetjen e mëtejshme të Kosovës në arritjen e qëllimit të saj për të qenë e integruar në Unionin Evropian dhe në NATO”, tha Sejdiu, duke potencuar se “Kosova do të jetë e të gjithë qytetarëve dhe se do të ketë një kujdes të jashtëzakonshëm për komunitetet pakicë që janë në Kosovë”.
Sedjiu tha se Kosova e mirëpret prezencën e re civile të BE së në Kosovë që ka filluar punën menjëherë në bazë të kërkese së institucioneve të Kosovës. "Kosova do të jetë faktor i rëndësishëm i stabilitet edhe në rajon", u shpreh ai.
Solana ka pasur një takim edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Pas këtij takimi mediat më shumë janë interesuar për gjendjen në pjesën veriore të Kosovës.
Kryeministri Thaçi i ka siguruar qytetarët se situata në veri të Kosovës - ku gjatë ditës serbët kanë djegur pikat kufitare në Jarine dhe Banjë - është nën kontroll dhe se nuk ka vend për frikë e as për panik, por vetëm për qetësi dhe urtësi.
“Situata është nën kontroll të KFOR-it, policisë kosovare dhe asaj të UNMIK-ut dhe asnjë incident i butë nuk do ta zbehë madhështinë e festës dinjitoze të qytetarëve”, tha Thaçi.




















































