Një incident i pazakontë shënoi një ndeshje futbolli amator në Stamboll, dhe në vend të golave, historia flet për një akt heroik dhe shpëtimin e një jete të pafajshme në mes të ndeshjes.

Konkretisht, ishte minuta e 22-të e ndeshjes midis Mevlanakapi Guzelhisar dhe Istanbul Yurdum Spor kur portieri Muhammet Uyanik gjuajti topin nga zona e tij e penalltisë.


Topi goditi një pulëbardhë në fluturim, e cila ra menjëherë në bari, dhe Uyanik më vonë pranoi se në fillim as nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur derisa iu afrua zogut.

Ai tha se ishte i shokuar dhe thellësisht i tronditur sepse ishte i vetëdijshëm se ishte një qenie e gjallë, dhe heroi i ditës ishte kapiteni i ekipit Gani Catan.

Catan ishte i pari që vrapoi te zogu i lënduar dhe vuri re se pulëbardha nuk po tregonte shenja jete, kështu që instinktivisht filloi ringjalljen, ose masazhin e zemrës.

Kapiteni shpjegoi se procesi zgjati rreth dy minuta dhe ai nuk donte të hiqte dorë derisa të shihte këmbët dhe sytë e zogut të lëviznin.

Pulëbardhës shpejt filloi t’i rikthehej vetëdija, iu dha menjëherë ujë dhe më pas u nxor jashtë fushës dhe iu dorëzua personelit mjekësor.

Mediat turke raportojnë se Catan nuk ka trajnim mjekësor, por veproi sipas instinktit për të shpëtuar zogun, i cili pësoi një dëmtim në krah që do ta pengojë të fluturojë për një farë kohe. /Telegrafi/

telegrafi sport app