LAJMI I FUNDIT:

Situata në veri të Mitrovicës e qetë (Video)

Situata në veri të Mitrovicës e qetë (Video)

Situata në qytetin e Mitrovicës, në pjesën jugore dhe veriore, është shumë e qetë, përkundër zërave të ndryshëm se mund të ketë tensione.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Besim Hoti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se  situata është shumë e qetë, ashtu si çdo ditë të rëndomtë.


“Është një ditë e rëndomt, pa ndonjë aktivitet që mund të kërcënojë sigurinë e përgjithshme. Është shumë qetë, si gjithë ditët tjera”, ka thënë Hoti për Telegrafin.

Ndërsa, të shtunën pjesëtarë të KFOR-it me automjete ushtarake janë pozicionuar përgjatë Liqenit të Ujmanit (Gazivodës) në veri të Kosovës.

Ndryshe, njësitet elitare të Policisë së Kosovës janë grumbulluar në Bazën “Belvedere” të Mitrovicës, por siç mësohet prania e tyre ka të bëjë me një ushtrim të planifikuar më herët.

Ndërsa, siç kanë raportuar mediat serbe pjesëtarët e forcave të KFOR-it sot janë tërhoqur nga liqeni i Ujmanit, ku e kaluan ditën dje.

“Në rrugët hyrëse të liqenit dhe hidrocentralit nuk ka automjete apo ushtarë të KFOR-it”, raporton RTS.

Nga komanda e KFOR-it në Prishtinë dje u njoftua se ishte një aktivitet i paracaktuar dhe se nuk kishte të bënte me vendosjen nën kontrolli të liqenit të Ujmanit.

Ndryshe, presidenti i vendit, Hashim Thaci ka potencuar disa herë përmes deklaratave të shpeshta duke thënë se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve. /Telegrafi/