LAJMI I FUNDIT:

Sindroma “Hajdar K. Shtimja”: Parlamenti Evropian ushton nga këngët “patriotike” shqiptare

Sindroma “Hajdar K. Shtimja”: Parlamenti Evropian ushton nga këngët “patriotike” shqiptare

Molla ishte daba, daba ishte edhe dardha, o sa shumë daba, krejt Kosova dabadaba…

“NJË PËR TË GJITHË, TË GJITHË PËR NJË”


Muzikanti dhe regjisori i respektuar, Fatos Berisha, ka vendosur që apriori të jetë pjesë e çdo proteste që thirret në emër të kulturës e artit, pa marrë parasysh se organizatorët apo pjesëmarrësit mund të jenë e zeza e artit dhe e kulturës në vend.

Siç nuk është artist secili që thirret në art, as gazetar nuk është secili që i del emri në ndonjë medium. Por, Berisha po i merr këta të dytët për “model të duhur” që t’i dalë në mbrojtje secilit artist e “artist”.

“Përderisa brenda shumë profesioneve nuk bëhet një ndarje mes anëtarëve, bazuar në vlera; përderisa gazetarët janë unikë – ata që e meritojnë e nuk meritojnë këtë epitet; përderisa ata reagojnë ndaj çdo kërcënimi apo shkeljeje të pretenduar të të drejtave të tyre… atëherë edhe mua do të më gjesh në mbrojtje të çfarëdo kauze, të cilitdo që thotë se i takon botës së artit në Kosovë”, thotë Berisha.

HAJDAR K. SHTIMJA DHE GJYSHJA E MARK ZUCKERBERGUT

Në janar të vitit 2016, angiologu Ilaz Hysaj – që ka punuar atëbotë si mjek në Qendrën për Hulumtime Klinike në Qendrën Spitalore Universitare të qytetit Lille të Francës – në profilin e tij në Facebook publikon një “lajm”. Në të thotë se Rozeline Zuckerberg – “gjyshja” e themeluesit të rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg – në vitin 1853 kishte vizituar Shkupin, Prishtinën, Prizrenin dhe Pejën. Me veturë madje! Ndërsa, ishte mjeku popullor shqiptar, Hajdar K. Shtimja, që e ka lënë Rozelinën shtatzënë, e cila pas këtij takimi lindi një djalë të vetëm.

Fatkeqësisht, kjo shaka u përhap si lajm dhe u plasua me përshkrimet bombastike se “Zuckerberg u është përjetësisht mirënjohës shqiptarëve” apo se lajmi “po e çmend Serbinë”!

Në kurth të shakasë së Hysajt ranë mbi 30 media shqiptare e qindra e mijëra persona që e shpërndanë dhe e pëlqyen atë në profilet e tyre në Facebook. Ndonëse shkrimi kishte shumë gabime të qëllimshme logjike për t’u kuptuar e vërteta – si emërtimet e “mediave” perëndimore, viti 1853 kur nuk ka pasë vetura e as miqësi të shqiptarëve me amerikanët – askush nuk u lodh për të “humbur” pak kohë për një kërkim në Google apo për ta pyetur autorin nëse “ka informata shtesë për këtë lajm”!

SINDROMA E HAJDARIT

Pasi Hysaj e krijoi një “hit” mediatik, publicisti Daut Dauti propozon që “Hajdar K. Shtimja” të futet në fjalorin e gjuhës shqipe, ku si sqarime mund jenë këto përkufizime: sëmundja e mediave shqiptare e cila rezulton në nevojën apo dëshirën për të botuar informata të paverifikuara; dëshirë e paqëllimtë për të gënjyer për shkak të mungesës së profesionalizmit; dëshirë për të gënjyer me qëllim që te lexuesi të krijohet një mendim i caktuar në mënyrë që nga kjo të përfitojnë grupet e dyshimta…

Të gjitha këto përkufizime, fatkeqësisht, janë pjesë e një realiteti në të cilin gjendet gazetaria në Kosovë.

“Jam si Kosova”, thotë rokeri Sheki Hoxha, kur pyetet se si është! Edhe gazetaria pra është si Kosova, me të mirat e të këqijat e saj. Në anët e këqija futet kjo, “Sindroma e Hajdarit”, që lehtë zë vend në një shoqëri të prirë për të besuar gjithçka. Kështu, pos informimit të duhur e për të vërtetën, ndodh shumë shpesh që në mediat e Kosovës kiçi të prezantohet si vlerë, që interpretimi të plasohet si lajm dhe që gënjeshtra të konceptohet “veç” si lojë.

Për këto anë negative që janë pjesë e shumicës së mediave, s’ka as pendesë, as distancim e as tendencë për t’i eliminuar. Jo veç pse injoranca ka kapluar vendin, por sepse “çdo mrekulli” sot zgjat veç tre orë! Mu për këtë, gazetari i ARD-së, Besnik Hamiti, thotë: “Mosmirënjohja e harresa (amnezia) janë dy tipare që e karakterizojnë sot individin e kolektivitetin. Skandali e mbulon skandalin. Harrohet i pari, bëhet zhurmë për të dytin derisa nuk ndodh skandali tjetër. E, për pak kohë harrohen të gjitha… Nëse harresa e mbulon shpejt të vërtetën, pse të mos e mbulojë rrenën. Rrenat dalin çdo ditë, për përdorim të çastit, ditës, javës… Ai që i thotë e di se të gjithat do të harrohen shpejt e se s’do të ketë konsekuenca për to”!

KUKANI DISKUTON PËR BORXHIN QË EVROPA UA KA SHQIPTARËVE QË NGA KONGRESI I BERLINIT

A e keni dëgjuar lajmin më të ri, fort të mirë për Kosovën e shqiptarët?

Parlamenti Evropian, nga data 11-14 shtator, nën kryesimin e mikut të madh të shqiptarëve, presidentit Antonio Tajani, përkrahu propozimin e anëtarit nga Sllovakia, Eduard Kukan, që të diskutohet borxhi që Evropa ua ka shqiptarëve.

Siç raporton agjencia “La Mode Diplomatique”, debati hasi menjëherë në kundërshtime të rrepta nga deputetët serbë, grekë dhe spanjollë. Por, pos që kaloi propozimi i Kukanit – i cili kërkoi që borxhi ndaj shqiptarëve, i akumuluar që nga Kongresi i Berlinit, duhet t’ju kthehet shqiptarëve sa më parë – në Parlament u lëshua edhe kënga e Ilir Shaqirit, “Kthema borxhin”, dhe kënga e Shkurte Fejzës – “Pa u farue, djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”.

Ky “lajm i mirë” u publikua nga afro 10 media. Autor prapë është Ilaz Hysaj. Serbia nuk është anëtare e Parlamentit Evropian, e as agjenci “La Mode diplomatique” nuk ka!

“Ô Zoti, falna se të kemi shti në siklet të madh”, ishte reagimi i Hysajt kur edhe kjo lojë e tij u bë lajm për marre që, fatkeqësisht, si “gjyshja e Markut” shpejt do të mbulohet nga harresa…

LAJMI I FUNDIT NGA CIRKU FLUTURUES

Hajdar K. Shtimja përmendet në Kosovë gjithmonë në kontekstin e një gruari të madh me fallus “gjigant”! Atij ia atribuojnë “autorësinë” për “bollën në kos” dhe shakanë “ma përzive me kos, se kësaj i themi e q…”! Kjo barsoletë lindi kur njëri e dërgoi gruan për kontroll te ky mjek popullor, për ta shëruar e për të lënë shtatzënë. Dhe, ajo thuhet se mbeti shtatzënë e se trashëgimtarët me gjakun e Hajdarit, të këtij personaliteti sa real aq edhe mitik, janë shumuar shumë deri në ditët e sotme, anembanë vendit! Prandaj, disa pretendojnë se kjo mund të jetë arsyeja se pse mes shqiptarëve ngatërrohet shpesh e vërteta (realja) me gënjeshtrën (mitin)!

Sidoqoftë, pas premierës në Prizren të shfaqjes “Armiku i popullit”, me tekst të Henrik Ibsenit e dramatizim të Arthur Millerit – një shfaqje që flet për dorëzimin dhe nënshtrimin e shumicës së gazetarëve në një shoqëri të korruptuar dhe viktimizimin e idealistit madje edhe nga kolegët – Fatos Berisha ka filluar realizimin e filmit të metrazhit të gjatë, “Cirku fluturues”, të bazuar në një ngjarje të vërtetë dhe një histori personale të tij nga vitet ’90 të shekullit të kaluar. Ky film – për të cilin audicionet janë mbajtur në Prishtinë më 29 e 30 gusht të këtij viti dhe më 7 shtator në Tiranë – pritet të ketë një lidhje unike edhe me “Cirkun fluturues ‘Monty Python’”, gjë e cila ende nuk është konfirmuar nga ekipi.

Megjithatë, lajm kryesor në këtë shkrim mbetet fakti interesant se në vitin tjetër Berisha do ta sjellë mysafir në Prishtinë, regjisorin e njohur amerikan, Stanley Kubrick.

Vdekja e kulturës: Orwell, Huxley dhe shqiptarët që fluturojnë në qiell!
Lexo po ashtu Vdekja e kulturës: Orwell, Huxley dhe shqiptarët që fluturojnë në qiell!
Krejt u bo m…, krejt u pështjell…, krejt ka shku në PS!
Lexo po ashtu Krejt u bo m…, krejt u pështjell…, krejt ka shku në PS!

Në trend

Më shumë
Dy ushtarakë e poshtërojnë Vladimir Putinin - nuk pranojnë ta përshëndesin presidentin rus

Dy ushtarakë e poshtërojnë Vladimir Putinin - nuk pranojnë ta përshëndesin presidentin rus

Evropa
UEFA “zbuloi” një foto të vjetër: Dy shokët do të kenë një sherr të madh në finalen e Ligës së Kampionëve

UEFA “zbuloi” një foto të vjetër: Dy shokët do të kenë një sherr të madh në finalen e Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Mësohet arsyeja pse nuk ndërhyri VAR-i te goli i anuluar i Bayern Munichut ndaj Real Madridit

Liga e Kampionëve
Në rast të një lufte NATO-Rusi, admirali amerikan tregon se cila duhet të jetë lëvizja e parë e Aleancës

Në rast të një lufte NATO-Rusi, admirali amerikan tregon se cila duhet të jetë lëvizja e parë e Aleancës

Evropa
Tajlandezja kishte dhimbje dhe mezi merrte frymë - pas analizave shëndetësore, mjekët i nxorën diçka të tmerrshme nga hunda

Tajlandezja kishte dhimbje dhe mezi merrte frymë - pas analizave shëndetësore, mjekët i nxorën diçka të tmerrshme nga hunda

Azia
Besa dështon ta kualifikojë Shqipërinë në finalen e

Besa dështon ta kualifikojë Shqipërinë në finalen e "Eurovision 2024"

Magazina
Kalo në kategori