LAJMI I FUNDIT:

Pakënaqësi me vlerën e koeficientit – paralajmërohen veprime sindikale

Pakënaqësi me vlerën e koeficientit – paralajmërohen veprime sindikale
-->

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka bërë të ditur koeficientin e pagave për sektorin publik, i cili për vitin 2023 do të jetë 105 euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga ekzekutivi, paga për disa kategori është rritur për nga 30 për qind deri në 90 për qind.

Megjithatë, vlera e koeficientit po konsiderohet e papranueshme për sindikatat e punëtorëve që paguhen nga shteti.

Me koeficientin e  caktuar, paga bruto e një zyrtari policor do të jetë 525 euro.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një prononcim për Telegrafin tha se kjo vlerë është e papranueshme për ta.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri

Zeqiri theksoi se kanë kërkuar që vlera të jetë 50 për qind e pagës minimale – që i bie 130 apo së paku 125 euro.

“Vlera e koeficientit prej 105 euro është e papranueshme. Ne kemi kërkuar që vlera me qenë 50 për qind e pagës minimale e cila ka kaluar në lexim të parë e që do të ishte 130 apo 125 euro”, deklaroi ai.

“Puna në polici është më specifike. Sistemi i punës është me grada dhe te një pjesë është e vërtetë që ka rritje të pagës bazë, por kur merren parasysh disa zbritje tjera që janë bërë në rrezikshmëri dhe punën jashtë orarit, atëherë ne nuk e di a po dalim me rritje apo jo. Në këtë kohë krize nëse vërtetë nuk ka rritje të pagës për zyrtarin policor, si mund të jemi të kënaqur me vlerën e koeficientit?”.

Zeqiri tutje paralajmëroi se do të bëjnë ankesë për ta ndryshuar këtë vlerë të koeficientit. Por, fillimisht tha se do të konsultohen me strukturat e sindikatës së policisë dhe me strukturat tjera sindikale në Kosovë.

“Ne do të bëjmë kërkesë dhe ankesë sigurisht. Por, fillimisht do të konsultohemi me strukturat e Sindikatës së Policisë së Kosovës dhe strukturat tjera sindikale në Kosovë”, përfundoi ai.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, tha se rritja e pagave e prezantuar nga Qeveria është rritje kozmetike dhe jo për t’u përballur inflacionin e lartë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi

“Ne si Federatë Sindikale e Administratës Publike qëndrojmë konsistent kërkesës sonë dhe vlera e koeficientit të propozuar nga Qeveria, e që do duhej të miratohej në Parlamentin e Kosovës për ne është befasi dhe rrjedhimisht është e pa pranueshme, për arsyeje se këtu kemi rritje kozmetike. Duke marrë parasysh gjendjen e renduar ekonomike, inflacionin dhe çmimet enorme është e pa kuptimtë kjo vlerë e koeficientit. Andaj nuk kemi si ta pranojmë si të tillë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse ekziston mundësia për grevë, Gashi tha se nuk përjashtohet asnjë variant, derisa shtoi se shpejt do të dalin me një qëndrim të përbashkët me sindikatat.

E pakënaqur me vlerën e koeficientit është shprehur edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

Kryetarja e saj, Tevide Imeri, tha se vlera e koeficientit nuk është ajo të cilën e kanë pritur dhe se shumica e punëtorëve shëndetësorë nuk janë të kënaqur.

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri

“Tani për tani, s’mund të them as që e pranojmë as që e refuzojmë. Por, ne e kemi prit një vlerë krejt tjetër. Mirëpo vendimin do ta nxjerrim nesër pasi që Këshillit Drejtues i Federatës  është ftuar nesër në ora 10:00, ku do të mbahet një Këshill i jashtëzakonshëm drejtues. Dhe aty do të nxjerrim një vendim,  ku do të dihen qëndrime, do të ketë pajtueshmëri apo jo”, tha Imeri.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, por të njëjtit kanë thënë së shumë shpejt do të dalin me një reagim publik. /Telegrafi/