LAJMI I FUNDIT:

Si ta rifitojmë shprehinë e leximit të thellë?

Si ta rifitojmë shprehinë e leximit të thellë?
Ilustrim (Foto: Dwayne Senior/Bloomberg)

Nga: Nilanjana Roy / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Shumica e lajmeve të frikshme që kanë të bëjnë me industrinë e librit, prodhojnë kryetituj të pazakontë që më së miri është të lexohen si sajesa. Romani është i gjallë, pavarësisht parashikimeve të shumëfishta për fundin e tij; deri tash Kindle ka dështuar ta shkatërrojë librin fizik; adoleshentët më të pjekur dhe të rinjtë i kundërshtuan profecitë e zymta se brezi i tyre nuk lexon dhe vitin e kaluar ata ndihmuan në rritjen e shitjeve të librave përmes videove #BookTok – në platformën e mediave sociale TikTok.

Për rezistencën e librave, të shkrimit dhe të botimit jam tok me optimistët – por, si shumë njerëz në botën tonë vezulluese dhe të gjithëpranishme dixhitale, me raste përpiqem të përqendrohem te leximi për kënaqësinë time personale. Është paradoks i jetës moderne: derisa laptopët dhe smartfonët tashmë janë bërë qull nga tekstet, shpeshherë kuptojmë se nuk kemi as kohë e as vëmendje për të lexuar për t’u kënaqur.


Ky problem është mirë i dokumentuar. Në vitin 2018, dy studiues evropianë, Miha Kovac dhe Adriaan van der Weel, kanë publikuar një raport mbi ndryshimet në zakonet e leximit – për shkak të teknologjive të ekranit. Derisa shkrim-leximi – i matur pjesërisht nga sasia e tekstit të konsumuar në internet – u duk se po shpërthente, ata vunë në dukje preferencën e shtuar për infobajtët e saktë dhe të përmbledhur: “Jetojmë në epokën e përhapjes së teksteve të shkurtra dhe të amullisë së teksteve të gjata”.

Për fëmijët e vegjël – ndryshe nga adoleshentët dhe të rinjtë – është gjithnjë e më i rrallë leximi që bëhet për kënaqësi personale. Dy studime të kohëve të fundit flasin për një prirje shqetësuese, por tashmë të përcaktuar si trend – leximi për t’u kënaqur është bërë gjë shumë më pak e zakonshme te fëmijët. Vlerësimi Kombëtar i Progresit Arsimor (NAEP) në ShBA, gjatë viteve 2019-2020 e kreu një anketë me fëmijët e moshës nëntë dhe trembëdhjetëvjeçare dhe zbuloi se vetëm 42 për qind e nëntëvjeçarëve dhe 17 për qind e moshës trembëdhjetëvjeçare thanë se pothuajse për çdo ditë lexojnë për t’u kënaqur. Ndërkohë, studimi i Farshore-it, i botuar në mars në Mbretërinë e Bashkuar, raportoi se “përpos detyrave të shtëpisë, vetëm 25 për qind e fëmijëve thanë se lexojnë çdo ditë ose pothuajse çdo ditë për kënaqësinë e tyre personale”.

Si lexuese e përjetshme që zbuloi kënaqësinë e përhershme në bibliotekat e vogla të Delhit dhe të Kalkutës, është shqetësuese për mua se si ky brez e përjeton leximin si punë të mundimshme dhe jo si një dëfrim që mund të jetë. Por, në Indinë e viteve 1980, librat ishin pafundësisht më tërheqës se sasia e lajmeve të turbullta dhe e programeve bujqësore që transmetoheshin në televizionin e kontrolluar nga shteti. Nëse brezi im do të ishte ekspozuar ndaj mashtrimit të internetit të sotëm, a do të ishim bërë – shumë prej nesh – krimba të librave?

Përveç ëndjes, përfitimet e leximit për kënaqësi personale – ndjenja më e madhe e ndjeshmërisë, tolerancës, kureshtjes – janë mirë të njohura, por këto varen nga lloji i leximit të përqendruar që tani duket se është shumë i vështirë për t’u arritur. Edhe nëse jeni kalitur nga jeta e kaluar me lexime, siç janë shumë lexues të Financial Times-it, a jemi bërë skimerë – lexues që thithim sasi të madhe përmbajtjesh nga një mori burimesh, shpeshherë duke humbur kuptimin dhe përsiatjen – apo ende jemi të aftë për lexim të thellë?

Në një studim të rëndësishëm të vitit 2018, Pablo Delgado dhe Ladislao Salmerón testuan atë që njihet si “efekti i inferioritetit të ekranit” – dhe zbuluan se lexuesit e një teksti të shtypur ishin më të aftë të reduktonin bredhjen e mendjes sesa lexuesit që kishin qasje në të njëjtin tekst në kompjuter. Ky studim, si dhe hulumtimet e ngjashme, konfirmojnë atë që shumë lexues e dinë nga përvoja: priremi të kalojmë shkarazi kur lexojmë në ekrane, por vëmendja jonë ruhet shumë më lehtë në faqen e shtypur.

Sigurisht, pak prej nesh janë në gjendje t’i braktisin smartfonët dhe ekranet e kompjuterit. Dr Maryanne Wolf, autore e veprës Lexues, kthehu në shtëpi: Truri lexues në botën dixhitale (2018) në vend të kësaj mbron atë që ajo e quan “biliteracy” ­– aftësinë për të lexuar shkarazi, veçanërisht në internet, dhe për t’iu kthyer leximit të thellë. Siç tha ajo në një intervistë me revistën Notre Dame këtë pranverë: “Nuk është pyetje e thjeshtë, binare, nëse lexojmë dhe mendojmë më thellë në ekrane apo në libra dhe në shtyp. Mund të thithim informacion në mediume të shumta, nëse mësojmë se si ta përqendrojmë qëllimisht vëmendjen tonë.”

Javët e fundit kam vendosur ta mësoj trurin tim të prishur nga Twitter-i, në mënyrë që ta rifitoj zakonin e leximit të thellë. Kam marrë një vendim të ndërgjegjshëm për të konsumuar më pak – më pak lajme, më pak drama në internet, më pak lexim të padëshiruar – dhe për ta krijuar çdo ditë një hapësirë të lirë nga pajisjet teknologjike. Dhe, dalëngadalë e gjeta aftësinë time për t’u përqendruar dhe për t’u zhytur plotësisht në një libër. Kam vënë gjithashtu re se është më e lehtë t’i ndjekësh argumentet komplekse dhe ta ruash ndjenjën e fortë vizuale të botëve imagjinare, për dallim me përshtypjet e tëholluara të krijuara për një libër të lexuar shkarazi.

Shkrimtari amerikan Joshua Cohen e ka hapur romanin e tij të vitit 2015, Libri i numrave, me këtë ankesë: “Nëse e lexoni këtë në ekran, djalli ta hajë. Do të flas vetëm nëse më kapni me të dy duart.” Nuk jam i sigurt nëse jam gati – ose në gjendje – ta ndjek në çdo kohë këtë udhëzim: puna ende përfshin shumë ekrane dhe skanim shkaras të tekstit. Por, siç ndodhë me njerëzit ashtu edhe me librat: nëse vërtet e dëshironi një bisedë të mirë, ia vlen t’i fikni pajisjet. /Telegrafi/