LAJMI I FUNDIT:

Si mund të përmirësohet gjendja në sistemin arsimor në Kosovë

Si mund të përmirësohet gjendja në sistemin arsimor në Kosovë
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Rezultatet e testit PISA janë veç një simptomë që flet për sëmundjen e rëndë që e ka pllakosur sistemin arsimor në Kosovë. Kjo sëmundje nuk ka zbritur nga qielli e nuk është as rezultat i punës konspirative të armiqve tanë. Sëmundja ka histori dhe dihen shkaktarët e saj. Ata kanë emër dhe mbiemër.

Kush janë përgjegjësit?


Ministri aktual është më së paku përgjegjës për këtë gjendje. Ai madje duket totalisht injorant. Nuk e ka pasë e as që e ka idenë se në çfarë gjendje është sistemi arsimor në Kosovë. Duket sikur mundohet që rezultateve të testimit PISA t’ia japë një dimension teknik. D.m.th., sikur mundohet të thotë se nëse nxënësit dhe studentët do të përgatiteshin më mirë teknikisht, rezultatet në matematikë dhe lexim do të ishin më të mira.

Mendoj që ministri Bytyqi nuk është përgjegjësi kryesor. Përgjegjës kryesorë janë ministrat e mëparshëm, si: Agim Veliu, Enver Hoxhaj, Arsim Bajrami e Ramë Buja.

Arsimi në Kosovë ka dalë tërësisht jashtë trendëve bashkëkohorë të dijes dhe të shkencës. Problemet kanë karakter strukturor, andaj edhe reforma duhet të jetë strukturore dhe përmbajtjesore.

Si e shoh daljen nga kriza?

Është e vështirë të jap një recetë të saktë, megjithatë, më poshtë po i listoj disa nga masat që unë mendoj janë të domosdoshme. Secila qasje do duhej të bazohej në një strategji afatgjate prej 5-10-vjeçare. Strategjia duhet të ndërtohet mbi këto pesë shtylla kryesore:

1. Sistemi arsimor i vendit duhet të adresojë nevojat e shoqërisë dhe të tregut. Veçanërisht duhet reformuar kurrikulat – programet mësimore – të shkollave fillore dhe te mesme dhe atë në mënyrë urgjente;

2. Vendi duhet të ketë një sistem inspektimi, strikt e të qëndrueshëm, i cili do të çonte drejt përmirësimit të performancës së shkollave – në të gjitha nivelet. Kjo do të përmirësonte qeverisjen, udhëheqjen dhe menaxhimin adekuat në të gjitha nivelet e institucioneve arsimore;

3. Duhet përcaktuar standardet për ta adresuar performancën e dobët të shkollave dhe mësuesve. Synimet e performancës duhet të jenë specifike dhe të përafruara me strategjinë e përcaktuar në kornizën për inspektimet shkollore.

4. Cilësia e mësimdhënies duhet të përmirësohet nëpërmjet kushteve për pranim dhe largim nga puna të mësuesve dhe profesorëve. Procesi i rekrutimit të mësuesve do të duhej urgjentisht të depolitizohet dhe rekrutimi të bazohet sipas performancës akademike, si dhe përvojës së punës. Kontratat e secilit mësimdhënës duhet të jenë jo më shumë se dyvjeçare, ndërsa kontrata duhet të ketë statusin e periudhës provuese.

5. Zbatimi i këtyre propozimeve kërkon një strategji të qartë, komunikim transparent dhe stimulime financiare e jofinanciare (trajnime adekuate) për të gjithë mësimdhënësit.

Tërë kjo reformë kërkon aprovim nga tërë spektri politik. D.m.th., partitë që vijnë në pushtet brenda kësaj periudhe duhet të pajtohen në implementimin e objektivave të përcaktuara në strategji.