LAJMI I FUNDIT:

Si e ndryshon shtatzënia karrierën

Si e ndryshon shtatzënia karrierën

Rachel Wells tregon për news.com.au se si para disa jave kishte ngrënë drekë me disa nëna që i kanë bizneset e tyre private.

Kishin qenë diku rreth 80 gra në atë drekë dhe mes tyre kishte pasur gra që kanë udhëhequr agjenci dizajni, revista online, biznese për ushqim të fëmijëve etj.


Në ‘jetët e kaluara’, jetët të cilat i kishin para se të bëheshin nëna, ato ishin menaxhere, drejtore marketingu, avokate etj, transmeton Telegrafi.

Shumë nga to kanë treguar se po punojnë për veten e tyre, pasi që ndiheshin sikurse nuk kanë opsion tjetër. Nuk kanë opsion tjetër për shkak se shumë punëdhënës australian nuk dinë se si, ose nuk janë të gatshëm të akomodojnë nëna me pagesë.

Louise, një ndër nënat e pranishme e cila së fundmi e kishte filluar biznesin e saj, ka rrëfyer se si është larguar nga vendi i punës ku ka punuar për një dekadë vetëm pak javë pasi që është kthyer nga pushimi i lindjes.

Vetëm pak muaj para kësaj ngjarje, ajo me padurim priste t’i kthehej punës që e dashuron, por shefi i kishte treguar se pozita e saj, që i përket asaj ligjërisht, është plotësuar. Përfundimisht.

Louise ka treguar se shefi i saj ishte befasuar kur kjo kishte filluar të diskutoj për rikthimin e saj në punë dhe ai i kishte thënë kësaj se e ka gjetur dikë tjetër në pozitën e saj, ndërsa kjo do të punoj në një pozitë tjetër administrative, pesë ditë në javë.

Ajo ka punuar vetëm dy javë dhe ka hequr dorë.

Mirëpo, nuk është vetëm rasti i Louise, pasi që për katër vitet e fundit diskriminimi i shtatzënisë, përfshirë diskriminimin kundër grave shtatzënë, ka qenë diskriminimi numër një i hetuar nga Fair Work Ombudsman, transmeton Telegrafi.

Në periudhën 2014-2015, 35% e të gjitha ankesave për diskriminim që janë hetuar nga Ombudsman, kanë pasur të bëjnë me shtatzëni, ndërsa 19% kanë qenë të lidhura me diskriminim e njerëzve me aftësi të kufizuar.

Kohëve të fundit është krijuar një përshtypje që kur një grua bëhet nënë ajo më nuk konsiderohet e vlefshme për një organizatë.

Wells tregon për një organizatë që e përcakton vetën si organizatë që kujdeset për gratë dhe të drejtat e tyre, e ku kjo ka aplikuar për punë, por nuk është pranuar pavarësisht se ka qenë kandidate e fortë.

“Nëse një organizatë që supozohet se kujdeset për gratë nuk është e gatshme të akomodoj një nënë, çfarë shpresa kemi ne”, shkruan Wells. /Telegrafi/