Me një lojë katastrofave dhe të pashpirt, Peja sonte zhgënjeu më shumë se 2500 shikues që ishin të pranishëm në palestrën ‘Karagaçi’.

Pejanët e nisën mirë takimin me dy shënime të shpejta, mirëpo gabimet e bëra në sulm i dhanë mundësi Rilskit që të dalë në epërsi prej gjashtë pikëve fillimisht 8-14, ndërsa një trepikësh i Alban Veselit bëri që disavantazhi i vendasve të zvogëlohet në tre pikë në fund të çerekut të parë, 16-19.


Vendasit nuk treguan lojë bindëse as në çerekun e dytë, ku shpeshherë gabonin në sulm, gjë që e shfrytëzuan mysafirët për ta ngritur avantazhin e tyre në pesë pikë, 35-40, në fund të pjesës së parë.

Çereku i tretë ishte një lapsus i vërtetë i Pejës, ku i lejuan kundërshtarëve të zhvillojnë lojën e tyre pa kurrfarë problemi, ndërsa tifozët e zhgënjyer brohorisnin për fitore. Sidoqoftë, mysafirët krijuan një epërsi të lartë prej 15 pikëve, 51-66, për pjesën e fundit të ndeshjes.

Forma e dobët dhe loja e pakuptimtë e Pejës vazhdoi edhe në çerekun e katërt, ndërsa Rilski vetëm se e ngriti epërsinë duke u kualifikuar kështu në finale të Ligës Ballkanike, ku do ta presë fituesin e ndeshjes Kozuv – Sigal Prishtina.

Lojtari më i dalluar te Peja ishte Nick Wise me 17 pikë, ndërsa te mysafirët më i miri ishte Zarko Rakocevic me 22 pikë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app