LAJMI I FUNDIT:

Shtrembërimi i konkurrencës në prokurim publik

Shtrembërimi i konkurrencës në prokurim publik
Ilustrim

Një nga parimet kryesore të prokurimit publik është konkurrenca e drejtë mes operatorëve ekonomikë për të ofruar sa më shumë vlerë për para për autoritetin kontraktues. Në Kosovë, përmes interpretimeve dhe aplikimit të gabuar të dy neneve të Ligjit për Prokurim Publik, është mundësuar që të shtrembërohet konkurrenca – rrjedhimisht të mos përfillet një nga parimet bazë të prokurimit publik.

Interpretimi i nenit 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik, nga Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik, është se nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik. Edhe pse ka shumë kompani publike, ky interpretim është shfrytëzuar nga Telekomi i Kosovës, i cili e ka kuptuar këtë se pasi ofron shërbime të telefonisë mobile, fikse, të internetit dhe është autoritet publik, atëherë të gjitha autoritetet tjera publike obligohen të marrin këto shërbime nga Telekomi. Kjo ka shkaktuar që Telekomi të ketë një lloj monopoli natyror në këto fusha dhe ka shfrytëzuar mundësinë që çmimet e ofruar në një kontratë me një ministri ti ketë më të larta se konkurrenca dhe se vetë çmimet e Telekomit të ofruar për qytetarët.


Qeveria e Kosovës në prill të vitit 2020, përmes vendimit 05/21 përjashtoi nga fushëveprimi i Ligjit të Prokurimit Publik Telekomin e Kosovës me arsyen se kjo kompani ofron shërbime me rëndësi të veçantë shtetërore. Sipas këtij vendimi në tenderët publik nuk mund asnjë kompani tjetër të konkurrojë me Telekomin e Kosovës. Kjo është një nga format e shtrembërimit të konkurrencës. Interpretimi i KRPP-së dhe vendimi i Qeverisë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Direktivën 2014/14/BE për Prokurim Publik e cila kërkon të plotësohen një sërë kushtet në mënyrë që të lejohet përjashtimi për “prokurimin brenda shtëpisë” dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Telekomi i Kosovës (TK) në kontratën e nënshkruar në vitin 2017 me Ministrinë e Administratës Publike (MAP) ka dhënë çmime më të lartë se çmimet e saj të shitjes me pakicë. Për një pako interneti me shpejtësi 15 Mbps, TK ka dhënë çmim 16.99 euro në kontratën me MAP, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë në atë periudhë nga TK ka qenë 15.99. Të tilla çmime mundësohen kur përmes interpretimeve të LPP mundësohet që një disa fusha të caktuar mos të kenë konkurrencë. Është shumë e logjikshme që një kompani mos të ofrojë çmime më të ulëta kur e din që nuk ka konkurrencë.

Në anën tjetër, tenderët me çmime jonormalisht të ulëta janë një nga format tjera të kurdisjes së tenderëve dhe shtrembërimit të konkurrencës. Tenderët me çmime jonormalisht të ulëta mund të duken tërheqës për autoritetet kontraktuese, pasi mendimi se çmimi më i lirë kursen buxhetin e autoritetit kontraktues është tundues. Mirëpo prapa këtyre çmimeve fshihet diçka tjetër, tendenca për kurdisje të tenderëve e në të njëjtën kohë shtrembërimi i konkurrencës. Kjo bëhet shumë problem më i madh kur zyrtarët e autoritetit kontraktues bashkëpunojnë më kompanitë e caktuara për ta arritur këtë. Është shumë e qartë se një tender me çmime jonormalisht të ulëta nuk mund të realizohet nëse nuk ka bashkëpunim në mes të kompanisë dhe autoritetit kontraktues. Asnjë kompani nuk ofron çmim jonormalisht të ulët nëse në një farë forme matematikisht nuk del në profit pasi qëllimi primar i një kompanie është që të krijojë profit. Se si arrihet kjo varet nga format dhe skemat korruptive që në njërën anë e krijojnë mundësinë që kompania dhe zyrtarët të përfitojnë jashtëligjshëm dhe në anën tjetër shtrembërohet konkurrenca.

Neni 61 i LPP-së parasheh se kur autoritetit kontraktues i duket se një kompani ka ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta atëherë mund të kërkojë sqarime për këto çmime. Theksi këtu është të fjala “kur autoritetit kontraktues e sheh”. Mund të ndodhë që një kompani të ofroje çmime jonormalisht të ulët dhe autoriteti kontraktues të mos e vlerësojë tenderin si të tillë. Rol të madh në tolerimin e tenderëve me çmime jonormalisht të ulëta ka edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit si shkallë e dytë për ankesa. OSHP ka toleruar që të nënshkruhen kontrata jashtë çdo logjike të çmimeve të tregut si p.sh. capuccino 0.01 euro, qumësht me çokollatë 0.01 euro, omlet me djath 0.1 euro.

Qeveria duhet të shfuqizojë Vendimin 05/21, KRPP të largojë interpretimin e nenit 9.4, ti kushtohet më shumë vëmendje tenderëve jonormalisht të ulët, në mënyrë që në prokurimin publik në Kosovë të ketë konkurrencë të mirëfilltë. /Demokraci Plus/