Shtohet numri i kosovarëve në Zvicër


Listën e të huajve e kryesojnë shtetasit italianë, me 290 mijë, të ndjekur nga gjermanët, 280 mijë dhe portugezët 230 mijë. Rritjen më të madhe e ka shënuar komuniteti portugez, me 13 628 persona më shumë. Pas portugezeve vijnë gjermanët, me 9 537, dhe kosovarët, që janë për 7 308 banorë më shumë sesa një vit më parë.
Sikurse edhe vitet tjera, pas pavarësimit të Kosovës, shtimi i numrit të kosovarëve lidhet me ndërrimin e shtetësisë së këtyre nga ajo serbe në shtetësinë kosovare. Për arsye të njëjtë ka rënë dukshëm numri i shtetasve të Serbisë në popullatën e Zvicrës. Sipas statistikës së publikuar nga Zyra Federale për Migracion, shtetas serbë tashti ka 8 539 më pak se vitin e kaluar, raporton Albinfo.ch.
Megjithatë, shtetasit e Serbisë (në mesin e të cilëve ka ende shqiptarë të Kosovës me pasaporta serbe) me 97 198 veta janë në vendin e pestë, pas atyre të Italisë, Gjermanisë, Portugalisë dhe Francës.
Në vendin e gjashtë, me 77 313 veta janë shtetasit e Kosovës.
Numri i shtetasve të Maqedonisë, me 61 414, që siç dihet përbëhet nga shumica dërmuese shqiptare, ka mbetur stabil. /Telegrafi/



































