Çmimi i naftës drejt normalizimit, pak shpresa të ulen edhe çmimet e produkteve në Kosovë


Përkundër që ka filluar ulja e çmimit të naftës në bursën ndërkombëtare, në Kosovë pritet që ndikimi të vërehet më vonë, vlerësojnë ekonomistët. Ndërsa, sipas përfaqësuesve të Shoqatës Konsumatori, pavarësisht potencialit që nafta të lirohet gradualisht, e njëjta nuk pritet të ndodhë edhe me shërbimet apo produktet të cilat ishin shtrenjtuar pikërisht me derivatet si arsyetim.
Pasi avancoi marrëveshjen me Iranin për ndërprerje të konfliktit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, çoi një mesazh të rëndësishëm për krizën me çmimin e naftës në botë.
“Anije të botës, ndizni motorët. Le të rrjedhë nafta”, ka thënë Donald Trump, president i SHBA-së.
Pas këtij shkrimi, vërtetë çmimi i naftës në bursën botërore mori trajektore tjetër, duke filluar të zbresë gradualisht.
Por, me këtë ritëm, nuk po ndryshon çmimi i naftës edhe në Kosovë, gjë që sipas një profesori të ekonomisë, ka disa arsye.
“Ka tendencë të kompanive që shpejtë ti rrisin çmimet, por ti ulin ngadalë, duke pretenduar të marrin fitim të lartë”, ka thënë Fidan Qerimi, profesor i lëndëve të ekonomisë.
Edhe më pak shpresë ka që të ulen çmimet e produkteve dhe shërbimeve tjera, që ishin rritur bashkë me naftën.
“Në bazë të përvojave të hidhura mund të konkludoj se unë nuk besoj se çminimet tjera do kthehen aty ku kanë qenë, sepse edhe politikanëve kanë interesa te bizneset”, ka thënë Selatin Kaçaniku, Shoqata “Konsumatori”.
“Transporti ka pasur rritje të kostos. Ka ulje të fuqisë blerëse, meqenëse janë ndikuar nga pagesat më të larta të derivateve”, ka thënë Fidan Qerimi, profesor i lëndëve të ekonomisë.
Sipas Agjencisë së Statistikave, nafta, ka ndikuar më së shumti shërbimin e transportit. Në prillin e vitit 2026, krahasuar me atë të vitit 2025, çmimet e transportit u rritën për 14.1%./Tv Dukagjini
- YouTube youtu.be


































