LAJMI I FUNDIT:

Shtiren si policë dhe arrijnë ta bindin zviceranen se po ia ruajnë të hollat, hajnat i vjedhin 3.6 milionë franga

Shtiren si policë dhe arrijnë ta bindin zviceranen se po ia ruajnë të hollat, hajnat i vjedhin 3.6 milionë franga
Foto: Ilustrim

Policë të rrejshëm kanë arritur që nga një qytetare në Cyrih të Zvicrës t’i marrin 3.6 milionë franga (3.2 milionë euro), duke e bindur se po ia ruajnë nga hajnat të cilët kinse janë duke bashkëpunuar me të punësuarit në bankë me qëllimin e vetëm që t’ia vjedhin paratë.

Sipas policisë zvicerane, hajnat për muaj të tërë e kishin përgatitur terrenin për një mashtrim të tillë. Kontaktin e parë e kishin realizuar në nëntor të vitit të kaluar, kur një femër u paraqit si police dhe i shpjegoi viktimës se policia është duke hetuar rrjetin e një grupi hajnash të cilët në bashkëpunim me të punëtorët në banka po i vjedhin paratë, transmeton Telegrafi.


Asokohe asaj i është thënë se paratë e saj mund të jenë cak i këtyre hajnave. E gjatë muajve të ardhshëm, kjo grua çdo ditë ka pranuar telefonata nga hajnat të cilët vazhdimisht i thoshin që mos t’i tregojë askujt këto informacione, pasi rrezikohen hetimet dhe provat.

Kështu ata filluan t’i kërkojnë gruas nga Cyrihu, që përmes internetit t’ua transferojë një shumë të caktuar të parave për t’ia ruajtur. Megjithatë, në fund policia ka zbuluar se viktima në këtë mënyrë ua kishte dhënë hajnave 3.6 milionë franga. /Telegrafi/