Shtëpia e Bardhë ka blerë 150 milionë teste të shpejta për COVID-19


Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany njoftoi për blerjen e 150 milionë testeve të shpejta COVID-19.
Kështu së paku ka shkruar në llogarinë personale në Twitter, McEnany, e cila nuk ka dhënë shumë detaje të tjera.
"Ky është një zhvillim i madh që do të ndihmojë vendin tonë të mbetet i hapur, t'i kthejë amerikanët në punë dhe fëmijët të kthehen në shkollë!", shkroi 32-vjeçarja, transmeton Telegrafi,
Wall Street Journal raporton se marrëveshja me Laboratorët Abbott kap shumën e 750 milionë dollarëve.
Ndryshe, testi i ri quhet BinaxNOW COVID-19 Ag Card, dhe duhet të bëhet brenda shtatë ditëve nga ndjesia e parë e simptomave të coronavirusit.
Mostra merret duke përdorur një shtupë hundore dhe më pas futet në aparatin për testim, i cili ka formën e një kartele bankare dhe kushton vetëm pesë dollarë. /Telegrafi/











































