LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari vret nga inati!

Shqiptari vret nga inati!
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Shumë e pranojnë që sundimi pesëshekullor osman ka lënë vraga të mëdha në ADN-në e shqiptarëve. Teksa punoja në Londër, një mik i imi irlandez shpesh ironizonte duke me thënë se jo vetëm kultura e shqiptarëve dhe e ballkanasve tjerë është shumë e ngjashme me atë të turqve të sotëm, por edhe dukja. Mirëpo, përkundër ndikimit osman, ne shqiptarët kemi arritur të ruajmë shumë tipare, përfshirë një ‘cilësi’ origjinale. Fjalën e kam për inatin. Edhe etimologjia e fjalës ‘inat’ vjen nga turqishtja, që në shqip do përkthehej si ‘zemërim’, ‘kokëfortësi’, apo siç do ta quanin helenët e vjetër, ‘thymos’.

Disa vite më parë në një konferencë shkencore në Izmir, më la përshtypje stereotipi turk karshi shqiptarëve. Kur u thosha se jam shqiptar nga Kosova, pothuajse të gjithë kolegët turq në sinkron reagonin: “I njohim shqiptarët si njerëz që dinë të pushtohen tërësisht nga inati. Ndaj, edhe vendimet e edhe veprimet i bëjnë të udhëhequr nga inati. Si njerëz inatçorë, ata edhe vrasin nga zemërimi”.


Kur njeriu reflekton për gjendjen politike në të cilën ndodhen dy shtetet shqiptare, përkufizimet e tilla duken të bazuara. Për shkak të inatit karshi njëri tjetrit, shqiptarët historikisht kanë punuar kundër interesave të veta. Jemi mësuar t’i fajësojmë të tjerët për fatin tonë si komb, por në thelb të tjerët nuk na kanë faj sa ne. Faji më i madh ka qenë dhe mbetet brenda nesh. Sepse shqiptarët, sidomos politikanët, pa përjashtim vuajnë nga vesi i keq i protagonizmit, nga dëshira për të qenë ‘alfa’. Ndaj, nuk arrij ta justifikoj zellin e kryetarit të Kosovës, të kryeministrit apo edhe të kryeparlamentares për të baltosur njëri-tjetrin sa herë u vjen rasti. Ata sikur s’e vrasin mendjen për të kuptuar se sjelljet e tyre mund të shërbejnë si model për gjeneratat që vijnë!

Për më tepër, është e çuditshme mungesa e leximit të drejtë të kontekstit historik të qenies sonë si shoqëri dhe si shtet! Nevoja e koordinimit të veprimeve për të adresuar problemet nëpër të cilat kalojmë si shtet, nuk duhet të burojë nga dëshira dhe vullneti i tyre personal. Koordinimi institucional në marrjen e vendimeve politike është obligim që buron nga Kushtetuta e Republikës.

Deklarata e kryeparlamentares se tarifa do të hiqet bashkë me kryetarin e Kosovës, për mua është skandaloze. Deklarata të këtilla janë në frymën e njëjtë sikur ato rreth lojës së fotografive apo të refuzimit të saj për të caktuar seancën e Parlamentit sipas kërkesës së presidentit. Këto veprime i vlerësoj krejtësisht infantile dhe populiste. Si pjesëtare e kastës së re të politikanëve, ajo do të duhej të personifikonte modelin e politikanes bashkëkohore, që fokusin e ka jo tek shërimi i inateve të saja politike (pa marrë parasysh të tashmen e të kaluarën e presidentit), por tek zgjidhja e problemeve jetike të qytetarëve.

Edhe puna e kryeministrit dhe qeverisë që ai e drejton, lë shumë për të dëshiruar. Së pari, refuzimi i tij kryeneç për të mos hequr tarifat doganore kundër dy shteteve të Ballkanit, duket vendim krejtësisht i pamençur. Kryeministri duhet të heq tarifën jo veç së këtë e kërkojnë aleatët tanë politikë, por për shkak se kjo tarifë është në kundërshtim direkt me një ndër principet themelore të BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ai nuk ka nevojë të trumbetojë masat e reciprocitetit, por t’i implementojë ato pa zhurmë, sepse ky është obligim kushtetues për të mbrojtur interesat tona.

Është e drejtë natyrore, si për individin ashtu edhe për shtetin, të reagojë karshi të tjerëve sipas parimit: ‘Çfarë më bën, ta bëj’ (‘What goes around comes around’ – siç do të thoshin anglezët). Së dyti, është skandaloz injorimi që kryeministri po ia bën administratës amerikane lidhur me kërkesën e tyre për të marrë rolin primar në procesin e dialogut. Faktet empirike na sugjerojnë se pa përfshirjen amerikane, secila marrëveshje e mundshme me Serbinë vështirë se mund të jetësohet.

Është vështirë të kuptohet arsyeja e këtij injorimi. Liria jonë i atribuohet amerikanëve. Kështu që, të mendosh se një marrëveshje eventuale politike e sponsorizuar nga amerikanët do të jetë e disfavorshme për ne, do të thotë se ose di shumë ose se je rob i inateve tribale ballkanike.

Duke pasë parasysh këto, për fund vlen të ceket ky “proverb” shqiptar: “Për inat të resë, më vdektë djali”!